N’prag të certifikimit të rezultateve

Gjykata Supreme e Kosovës pritet të marrë vendim sot për ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë lidhur me zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt. Në Supreme thanë se vendimi për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për anulim të votave me postë të LDK-së do të merret brenda afatit kohor të paraparë me ligjin në…

Lajme

26/03/2025 12:38

Gjykata Supreme e Kosovës pritet të marrë vendim sot për ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë lidhur me zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.

Në Supreme thanë se vendimi për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për anulim të votave me postë të LDK-së do të merret brenda afatit kohor të paraparë me ligjin në fuqi.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror Zgjedhor po pret vendimmarrjen e Gjykatës Supreme që pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Mirëpo, njohës të procesit zgjedhor thonë se Gjykata Supreme do ta rrëzojë aneksen e LVV-së njësojë sikurse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, dhe kësisoj KQZ-ja do të mund t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve gjatë kësaj jave.

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu, bëri të ditur për KosovaPress se për ankesën e LVV-së dhe koalicionit PDAK-LPB kundër vendimit të PZAP-së do të vendoset të mërkurën më 26 mars, ku edhe përmbyllet afati ligjor prej 5 ditëve.

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë më 21 mars në Supreme, kundër vendimit të PZAP-së ku u rrëzua ankesa e tyre për anulim të votave me postë të LDK-së si dhe kërkesën për rivotim me postë.

“Se për dy ankesa, te pranuara me datë 21 mars 2025, një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, do te vendoset brenda afatit ligjor prej 5 ditësh, i cili llogaritet nga data e pranimit te ankesës, duke përfshirë fundjavën”,thuhet në përgjigjen e Supremes.

E zëdhënësi i këtij KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se varësisht prej vendimmarrjes së Supremes, do t’i zbatojnë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

“Aktualisht procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 15 mars 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare”, thuhet në përgjigjen e Elezit.

Në anën tjetër, profesori universitar, njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, thotë, se mundësitë më të mëdha janë që edhe Gjykata Supreme të rrëzojë ankesën e LVV-së për anulimin e votave me postë të LDK-së si dhe rivotim me postë.

Sipas tij, porsa të përfundojnë të gjitha procedurat ankimore dhe administrative, KQZ-ja ka mundësi që të premten ose të shtunën e kësaj jave të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Menjëherë porsa të përfundojnë të gjitha procedurat ankimore dhe administrative[mund të certifikohen rezultatet]. KQZ-ja ka mundësi që të premten, pse jo edhe të shtunën sipas nevojës, të mblidhet dhe të bëjë certifikimin e rezultateve. Pas kësaj, KQZ-ja i dërgon listat rezultatet e zgjedhjeve në Kuvendin e Kosovës dhe Presidencë. Presidentja e vendit është e obliguar që në afat prej 30 ditëve pas certifikimit të caktojë seancën e konstituimit të Kuvendit”, shpjegon Baraliu.

Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i hapte rrugë rrjedhjes së afateve ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 9 shkurt 2025. Ndërkaq, KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare më 15 mars.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.

Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

Sipas rezultateve, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë.