Vrasjet e fundit në Kosovë, Krasniqi: Urgjencë kombëtare – Kontroll më i rreptë i armëve, forcim i rendit dhe drejtësi e pakompromis

Brenda tri ditëve, tri vrasje kanë ndodhur në Kosovë ku kanë humbur jetën katër persona. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se këto vrasje janë jetë të vjedhura, familje të shkatërruara dhe një shoqëri që vazhdon të dëshmojë tragjedi pa asnjë veprim shtetëror të vendosur. Ai ka thënë se duhet ta pranojmë që kjo…

Lajme

26/03/2025 12:00

Brenda tri ditëve, tri vrasje kanë ndodhur në Kosovë ku kanë humbur jetën katër persona.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se këto vrasje janë jetë të vjedhura, familje të shkatërruara dhe një shoqëri që vazhdon të dëshmojë tragjedi pa asnjë veprim shtetëror të vendosur.

Ai ka thënë se duhet ta pranojmë që kjo situatë është një “urgjencë kombëtare”, shkruan lajmi.net.

“Pasiguria ka kapluar vendin tonë. Një ndjenjë frike dhe pasigurie ka zënë rrënjë në shoqëri, duke e bërë jetën e qytetarëve të rënduar nga ankthi dhe droja për të nesërmen. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se një armë e jashtëligjshme mund t’i marrë jetën në çdo moment, në rrugë, në shtëpi apo në vendin e punës. Nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje – nuk guxojmë. Nuk mund të heshtim. Shteti duhet të zgjohet. Institucionet duhet të veprojnë me urgjencë. Kontroll më i rreptë i armëve, forcim i rendit dhe drejtësi e pakompromis – këto nuk janë thjesht politika, por çështje jete dhe vdekjeje”, ka shkruar Krasniqi. 
Ai ka thënë se PDK në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje.
“Kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Është koha të kthjellemi. Është koha të zgjedhim jetën. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: