Seria e vrasjeve në Kosovë, Kurti: Organet e rendit t’i trajtojnë me seriozet shkaqet e rrethanat që të parandalohen raste të tilla në të ardhmen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka nisur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës duke folur për vrasjet e rënda të cilat kanë tronditur vendin. Ai ka ftuar organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet drejtësi edhe…

Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka nisur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës duke folur për vrasjet e rënda të cilat kanë tronditur vendin.
Ai ka ftuar organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet drejtësi edhe të parandalohen raste të këtilla në të ardhmen.
Kurti ka thënë se vrasja është akti më i rëndë që mund të ia bëj njeriu njeriut, dhe siç thotë ai ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet pasi që vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut por edhe e shoqërisë në të cilën ai njeri bënte pjesë, pra shoqërisë sonë.
“Gjithë vendi është tronditur e është lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet. Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim I menjëhershëm institucional, dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne, prej secilin prej nesh”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26 vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, shkruan lajmi.net.
“Në emrin tim dhe të Qeverisë, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe u qëndrojmë pranë në këto ditë të vështira, teksa ritheksojmë kërkesën për angazhim maksimal të organeve të rendit dhe të drejtësisë”, ka thënë Kurti. /Lajmi.net/