“Forca të shtuara, policë të armatosur rëndë, xhipa me xhama të zi” – Pse Thaçi po ruhet kaq fortë nga Specialja?

Pas pesë ditësh që i vdiq babai, Gjykata Speciale ia lejoi ardhjen në Kosovë ish-presidenti të vendit, Hashim Thaçi. Thaçi sot rreth orës 12:00 bëri homazhe te varri i babait, vendosi kurora lulesh, u takua me familjarët e ngushtë në shtëpinë në Burojë, dhe u largua. “Te varri yt erdha i fundit babë. Para meje…

Lajme

21/03/2025 20:18

Pas pesë ditësh që i vdiq babai, Gjykata Speciale ia lejoi ardhjen në Kosovë ish-presidenti të vendit, Hashim Thaçi.

Thaçi sot rreth orës 12:00 bëri homazhe te varri i babait, vendosi kurora lulesh, u takua me familjarët e ngushtë në shtëpinë në Burojë, dhe u largua.

“Te varri yt erdha i fundit babë. Para meje erdhëm mijëra qytetarë. Së shpejti do t’i falënderoj dorë më dorë”, shkruhet në kurorën që Presidenti Thaçi e vendosi mbi varrin e babait, i cili vdiq para pesë ditësh.

Zona ku qëndronte ish-kryeministri kosovar, çdo herë ishte e rrethuar nga Policia e Kosovës, ndërsa rrugët u monitoruan edhe nga njësitë e EULEX-it, të cilët e shoqëruan atë vazhdimisht.

Dhomat e Specializuara i kanë dhënë dy ditë për Hashim Thaçin, të qëndrojë në Kosovë.

Kjo vizitë është e kushtëzuar, meqenëse janë një sërë masash të rrepta sigurie që duhet të respektohen, për çka në vazhdimësi është i mbikëqyrur nga njësitet e EULEX-it.

Për Thaçin, në raport me Specialen ka lindur një shqetësim i ri, apo thënë më saktë një arsye e re ku Prokuroria është “kapur” për t’ia vazhduar atij paraburgimin, shkruan lajmi.net.

 

E mbani mend këtë fotografi. Fakti që po e shihni në dokument të kësaj lloj forme, tregon se ajo është marrë si provë nga Prokuroria Speciale.

E njëjta, po përdoret si provë për t’ia vazhduar paraburgimin Thaçit në Speciale.

Në këtë fotografi është Haxhi Shala e Hashim Thaçi. I pari po bisedonte me djalin e tij, Flakronin në një “video-call” e dukej se aty erdhi për ta përshëndetur edhe ish-presidenti.

Djali i Haxhiut, këtë moment e bëri “screenshot” dhe fotografinë e publikoi në rrjete sociale për të shprehur simpatinë dhe mbështetjen e tij për Thaçin.

E tash Specialja po thotë, se fakti që Thaçi ka hyrë në këtë “video-call” është kundër rregullave.

“Pjesëmarrja e dukshme e THAÇI-t në video-telefonatën e një të burgosuri tjetër, që bie ndesh me kushtet e vendosura ndaj tij, nënvizon më tej një rrezik konkret që ai mund të përdorë komunikimin me vizitorët e të burgosurve të tjerë për të vendosur kontakte indirekte me dëshmitarët ose për të shpërndarë informacion konfidencial. Jashtë mjedisit të kontrolluar të Qendrës së Paraburgimit të KSK-së, rreziqe të tilla do të ishin edhe më të mëdha. Prandaj, paraburgimi është mjeti më efektiv për të kufizuar aftësinë e THAÇI-t për t’u arratisur, në të kundërt pengohet procedura e KSK-së”, tha Specialja.

Kujtojmë se në këtë vizitë Thaçi u përshëndet me shumë qytetarë nga larg, por gjithmonë duke mbajtur dorën në zemër.

Ndryshe nga rasti i Kadri Veselit, kur vizita ishte kryer në kushte tjera. Ai kishte qëndruar në EULEX, por gjatë ditës i ishte lejuar të shkojë në shtëpinë e familjes në Bair të Mitrovicës./Lajmi.net/