Aktakuzë për ndërhyrje në konkurs, zyrtari në Kamenicë dyshohet se u avancua në detyrë
Ishte dhjetori i vitit 2022 kur konkursi për motër-edukatore në Kamenicë për kandidaten Afërdita Ajvazi ishte një mundësi punësimi. Por ndonëse në fazën e intervistës kishte rezultuar me pikë më të mira, në atë me shkrim kishte rënë. Me kërkesën për të parë testin e saj, nga personeli i ishte ofruar edhe testi i kundërkandidates…

Lajme
Ishte dhjetori i vitit 2022 kur konkursi për motër-edukatore në Kamenicë për kandidaten Afërdita Ajvazi ishte një mundësi punësimi.
Por ndonëse në fazën e intervistës kishte rezultuar me pikë më të mira, në atë me shkrim kishte rënë.
Me kërkesën për të parë testin e saj, nga personeli i ishte ofruar edhe testi i kundërkandidates i cili dyshohet se kishte pasur ndërhyrje.
“Testi ka shkuar mirë, s’kam pa diçka brenda kohës por kur përfundoi intervista kemi kuptuar se testi është i plotësuar nga një zyrtar komunal. Pas disa insistimeve kemi pa testet, pamë që ishin të plotësuara…konkursi u anulua pas ankesës së kandidates së tretë”, ka thënë Afërdita Ajvazi, kandidate në konkurs publik.
Që atëherë, kjo e ka shtyrë Ibrahimin të mos aplikoj më në asnjë konkurs.
“Ka dy vite që nuk kam aplikuar më. S’kam vullnet më për t’i marrë letrat e për t’i dorëzuar për ndonjë konkurs tjetër. Kjo ishte arsyeja që s’kam dikë për të ma mbushur mua testin”, ka shtuar Ajvazi.
Ajvazi ka vendosur të ndjek rrugët ligjore e akuzat e saj, i ka mbështetur Prokuroria Themelore e Gjilanit e cila ka ngritur një aktakuzë ndaj Shuajb Laknës që asokohe mbante pozitën “Zyrtar i Personelit” e që kishte qenë edhe pjesë e komisionit.
“Më datën 10.2.2023 në Kamenicë, i pandehuri zyrtar personeli në Komunën e Kamenicës me qëllim mohimin apo kufizimin e personave të tjerë në të drejtën e punësimit në kushte të njëjta ka vepruar në atë mënyrë që në cilësi të anëtarit të komisionit përzgjedhës…kandidates A.I ia mbush testin…Me çka ka kryer veprën penale “Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza është ngritur që nga dy shkurti i këtij viti e pavarësisht se Shuajb Lakna ishte nën hetime në periudhë dy vjeçare, i njëjti ka vazhduar të mbajë pozitën e tij, gjë që bie në kundërshtim me Rregulloren për Pezullimin nga Marrëdhënia e Punës në kuadër të Ligjit për Zyrtarë Publik.
Por kjo nuk ka ndodhur në komunën e Kamenicës.
Në dokumentet e siguruara nga televizioni, i njëjti tanimë dyshohet të ketë marrë detyrën e U.D të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve njerëzore, të paktën si i tillë ka dhënë nënshkrimin në datën 11 të këtij muaji.
Por, për asnjë prej këtyre çështjeve nuk ka dashur të flas Kryetari i Komunës.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimaj nuk ka pranuar të deklarohet për televizionin me arsyetimin se agjendën e ka të ngjeshur.
Ndërhyrjen me shkrim në tekstin e kundërkandidates e ka vërtetuar edhe ekspertiza e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë por që këtë, sipas aktakuzës e kishte mohuar Lakna. /Dukagjini