Si ndodhi grabitja në Prishtinë dhe ku u gjet vetura e djegur?

Hyrja e një qendre tregtare në Prishtinë, të hënën u shndërrua në skenë krimi. Ky furgon që po barte para, u bë cak i një tentim-grabitje. Por, jo gjithçka shkoi siç e kishin planifikuar grabitësit. Këta të fundit hasën në rezistencë nga pjesëtarët e sigurimit të kompanisë që po i transmetonin paratë. Nga të shtënat,…

Lajme

17/03/2025 18:52

Hyrja e një qendre tregtare në Prishtinë, të hënën u shndërrua në skenë krimi.

Ky furgon që po barte para, u bë cak i një tentim-grabitje.

Por, jo gjithçka shkoi siç e kishin planifikuar grabitësit.

Këta të fundit hasën në rezistencë nga pjesëtarët e sigurimit të kompanisë që po i transmetonin paratë.

Nga të shtënat, i plagosur rëndë mbeti punëtori i kompanisë së sigurimit.

Nga Qendra Klinike Universitare të Kosovës, për Tëvë1 kanë thënë se burri është i plagosur në pjesën e stomakut dhe i është nënshtruar një operimi.

Plagë mori edhe njëri nga grabitësit.

Pas plagosjes, ky i fundit në gjendje të rëndë kërkoi ndihmë në qendrën emergjente në Graçanicë.

Për këtë, edhe identiteti i tij, u bë i njohur për organet e rendit.

Bëhet fjalë për Millosh Vukojeviq nga Leposaviqi, i cili më pas u transportua në QKUK..

Ndërsa vetura më të cilën dyshohet se u krye grabitja, u gjet në rrugën Pal Mëlyshi.

Mjeti më targa gjermane, ishte djegur tërësisht.

Ndërsa rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”.

Nga Policia e Kosovës thonë se në koordinim me prokurorinë, janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve./teve1