Vuçiq i paralajmëron protestuesit në Beograd: Kushdo që shkakton trazira do të arrestohet

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbrëmë iu drejtua publikut një ditë para protestës së madhe të paralajmëruar për sot në Beograd në lidhje me planet e supozuara “për të provokuar konflikt gjatë demonstratave”. Vuçiq tha se shteti serb do të sigurojë burime që, siç ka theksuar ai, tubimi i paregjistruar të vazhdojë në mënyrë paqësore. Sipas…

Lajme

15/03/2025 08:22

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbrëmë iu drejtua publikut një ditë para protestës së madhe të paralajmëruar për sot në Beograd në lidhje me planet e supozuara “për të provokuar konflikt gjatë demonstratave”.

Vuçiq tha se shteti serb do të sigurojë burime që, siç ka theksuar ai, tubimi i paregjistruar të vazhdojë në mënyrë paqësore.

Sipas tij, kushdo që sulmon pjesëmarrësit në demonstrata do të arrestohet, si dhe kushdo që sulmon dikë tjetër apo ndonjë institucion, siç shkruan mediumi publik serb “RTS”.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të qëndrojnë të qetë. U kërkoj prindërve, pasi kemi shumë indikacione, shumë grupe që paralajmërojnë dhunë, të mos i nxjerrin fëmijët në rrugë nëse nuk duhet. Po flas vetëm për fëmijët, që askush të mos thotë se po i pengojmë të tjerët të vijnë. Dhe sigurisht që do të sigurohemi që të garantojmë paqen, sigurinë për të gjithë”, tha Vuçiq në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve.

Ai paralajmëroi dhe kërkoi nga ata që mendojnë se po sulmojnë ata që mendojnë ndryshe, veçanërisht fëmijët në parkun Pionieri, veçanërisht institucionet, “të mos e bëjnë këtë”.

“Jo pse kam frikë se mos bëjnë diçka, as më së paku, dhe këtë po jua them një ditë më parë. Këtë po ju kërkoj për hir tuaj, sepse nesër do të më luteni për falje. Nuk do të ketë falje, atë gabim të madh e kam bërë një herë”, tha ai.

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit mbrëmjen e së premtes për t’i mirëpritur studentët që po mbërrijnë në kryeqytetin e Serbisë në këmbë nga skajet e largëta të Serbisë.

Ndërkaq, një kundër-protestë është organizuar në Parkun e Pionierëve në mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, ku janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve. Ata kanë vendosur traktorë përreth tyre.

Për këtë, Vuçiq iu tha se ata duhet “të përpiqen të kuptojnë se ne duhet të jetojmë me njëri-tjetrin, pavarësisht nga mendimet e ndryshme”.

Protestat në Beograd shpërthyen pas incidentit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024 ku humbën jetën 15 njerëz.

Studentët në këto protesta po kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e tyre dhe po protestojnë kundër korrupsionit.