Avokati kosovar: Masat e sigurisë ndaj Thaçit kanë qenë të ashpra duke pasur parasysh se nuk ka pasur arsye për të menduar arratisjen
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vizituar dje babain e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku ai është duke u mjekuar prej kohësh. Thaçi u kthye dje në Kosovë pas disa viteve, e gjithë kjo pasi mori leje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Një kërkesë…

Lajme
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vizituar dje babain e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku ai është duke u mjekuar prej kohësh.
Thaçi u kthye dje në Kosovë pas disa viteve, e gjithë kjo pasi mori leje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Një kërkesë të tillë Thaçi e kishte bërë prej kohësh, megjithatë të gjitha kërkesat e tij të mëparshme u refuzuan nga kjo gjykatë.
Avokati, Skender Musa tha për lajmi.net se vizita e Thaçit në Kosovë ishte e vonuar pasi Gjykata Speciale do duhej të aprovonte kërkesat e mëparshme të tij për vizitën e babait të sëmurë.
“Dispozitat ligjore parashohin vizita të tilla. Gjykata është e detyruar të aprovoj kërkesa të tilla për vizitë të anëtarin e familjes së ngushtë në momentet kur gjendja shëndetësore e tij lë për të kuptuar se është në rrezik jeta e tij. Natyrisht mendoj se ka qenë e vonuar leja që i është dhënë Hashim Thaçit për të ardhur në Kosovë. Nuk e di pse provat e kërkesës për vizitë në Kosovë nuk ishin të mjaftueshme për gjykatën, kurse tani po pasi e njëjta procedurë është edhe për këtë herë që e lejuan”, tha fillimisht ai.
Musa tha se masat e sigurisë ishin më të rrepta se sa duhej duke pasur parasysh se Thaçi asnjëherë nuk ka treguar premisa për arratisje apo mosbashkëpunim.
“Sa i përket masave të sigurisë, gjykata duhet të marr masa të rrepta të sigurisë për të siguruar edhe të akuzuarin. Masat kanë qenë më të ashpra duke pasur parasysh se nuk ka pasur arsye për të menduar arratisjen e tij”, shtoi ai.
Tutje, Musa shtoi se vizita e Thaçit ishte në pajtim të plotë me procedurat protokolare për vizitë të tillë duke potencuar se nuk ka pasur asnjë shkelje
“Asnjë shkelje nuk ka qenë, është e ligjshme përshëndetja që e ka bërë me personel, gjithashtu edhe te përshëndetja e mjekut, mjeku ishte ai që e ka përqafuar atë. Padyshim që ai është një nga liderët më të respektuar dhe më me ndikim në Republikën e Kosovës, nuk ka pasur asnjë shkelje procedurale nga ana e Hashim Thaçit”, përfundoi Musa për lajmi.net
Kujtojmë se ish presidenti Thaçi po përballet me Gjykatën Speciale tash e më shumë se katër vite prej kohës kur ai kishte lënë postin e presidentit për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Në vizitën e djeshme që pati në Kosovë Thaçi u mundua që t’i respektoj të gjithë qytetarët duke i përshëndetur- gjë që bie në sy në çdo moment edhe kur ishte brenda QKUK-së edhe jashtë.
Por e “vrazhdë” ishte pamja se do t’i duhet të kthehet sërish në veturat e aeroplanin që bënin kthimin e tij në Hagë. Në kuadër të Speciales po vazhdon gjykimi edhe ndaj ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Ky proces po vazhdon të kritikohet, por pavarësisht kësaj ende asnjë iniciativë nuk është marrë nga institucionet përkatëse që të mund të ndalet si proces./Lajmi.net/