Mbrojtja akuzon ZPS-në për fshehjen e një materiali, kërkon pezullim të procedurave për pikat që akuzohet Smakaj

Mbrojtja e Bashkim Smakajt e ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar në Hagë se e ka fshehur një intervistë të një dëshmitari nga gjyqtarja e procedurës paraprake e cila konfirmoi aktakuzën ndaj klientit të saj, si dhe Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Me arsyetimin për…

Lajme

12/03/2025 12:35

Mbrojtja e Bashkim Smakajt e ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar në Hagë se e ka fshehur një intervistë të një dëshmitari nga gjyqtarja e procedurës paraprake e cila konfirmoi aktakuzën ndaj klientit të saj, si dhe Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Me arsyetimin për abuzim me procesin gjyqësor, mbrojtja e Smakajt e përfaqësuar nga avokati Jonathan Elystan Rees dhe bashkëmbrojtesi i tij, Huw Bowden kanë kërkuar pezullimin e pikave të aktakuzës që inkriminojnë klientin e tyre.

Ky vendim është marrë më 4 mars 2025 dhe versioni i redaktuar është bërë publik një ditë më pas.

Në parashtrimin e tyre, mbrojtja e Smakajt ka pretenduar se prokurorja e specializuar i fshehu gjyqtares së procedurës paraprake informacione të rëndësishme që mund të kenë qenë të pafavorshme për kërkesën e Prokurorisë për konfirmimin e aktakuzës.

Si rrjedhojë, Rees së bashku me bashkë-mbrojtësin e tij pretendon se ZPS-ja ka shkelur detyrën e saj zyrtare.

Sipas parashtrimit të avokatëve të Smakajt, gjatë paraqitjes së aktakuzës për konfirmim më 12 nëntor 2024, u pretendua se i akuzuari ka kryer krime për pengimin e drejtësisë dhe mosbindje ndaj gjykatës si pjesë e një marrëveshje për t’i kryer këto vepra në bazë të dy takimeve që ai i ka realizuar me të akuzuarin tjetër, Hashim Thaçin, në të cilat ky i fundit thuhet se bëri orientime se si t’i jepeshin udhëzime dëshmitarit 2 për të dëshmuar në rastin e tij.

Po ashtu, në këtë parashtrim thuhet se u pretendua se dokumenti që thuhet se është gjetur në makinën e Smakajt më 30 tetor 2023, sipas ZPS-së përmbante dëshminë që pritej ta jepte dëshmitari 2 në Hagë në përputhje me udhëzimet e Thaçit të shtypura nga një printer në Qendrën e Paraburgimit.

Si rrjedhojë, Rees në parashtrimin e tij thekson se duke e konsideruar se ka dyshime që i akuzuari është përfshirë në këtë rast dhe ka rënë dakord që të përpiqet që të pengojë drejtësinë, e po ashtu e ka ndihmuar Thaçin që ta kryejë veprën penale për mosbindje ndaj gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake e nxori këtë përfundim konkretisht nga materiali i transkriptës së vizitës së 7 tetorit të 2023-ës të Thaçit me të akuzuarin.

Sipas Prokurorisë, duke u mbështetur në këtë transkriptë thuhet se i akuzuari ka qenë në kontakt me dëshmitarin 2 pas vizitës së 9 shtatorit për të ndjekur udhëzimet e Thaçit në mënyrë që të ndikojë ilegalisht në dëshminë e dëshmitarit 2 në gjykimin për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në parashtrimin e Rees, thuhet se kontakti i supozuar pas 9 shtatorit 2023 me dëshmitarin 2 për t’i përmbushur udhëzimet e Thaçit, ishte element i rëndësishëm për konstatimet e gjyqtares së procedurës paraprake se ekziston dyshimi i bazuar se Smakaj ka marrë pjesë në përpjekjet e përbashkëta për të ndikuar në dëshminë e dëshmitarit në fjalë.

Megjithatë, Rees pretendon se asnjëherë në vendimin për konfirmimin e aktakuzës nuk është përmendur intervista e dëshmitarit 2 e dhënë për ZPS-në më 6 dhjetor 2023 ku ai kishte përshkruar nivelin e kontaktit që ai kishte pasur me të akuzuarin pas datës 9 shtator 2023.

Mbrojtja e Smakajt këtë nuk e quan befasuese me arsyetimin se një gjë e tillë nuk ishte përmendur as nga Prokuroria në kërkesën e saj për konfirmim të aktakuzës as në aktakuzë dhe as në përmbledhjen që duhet të dorëzojë sipas Rregullores.

Sipas Rees, të gjitha materialet e paraqitura nga ZPS-ja për mbështetjen e konfirmimit të aktakuzës janë përfshira në ashtuquajtura “Paketat e Zbulimit”, ndërsa intervista me dëshmitarin 2 nuk është përfshirë atje.

“Kjo lënia jashtë është mjaft befasuese”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Bashkim Smakajt.

Megjithatë, se çka konfirmoi në atë intervistë dëshmitari është e redaktuar për publikun.

Por, Rees thotë se raporti i dëshmitarit 2 i dhënë ZPS-së më 6 dhjetor 2023, minon drejtpërdrejt përfundimet që gjyqtarja e procedurës paraprake kishte nxjerrë ndaj të akuzuarit. Pra, konkretisht faktin që i akuzuari ka qenë në kontakt me dëshmitarin 2 pas 9 shtatorit 2023 për të ndjekur udhëzimet e Thaçit për të ndikuar në dëshminë e tij.

Përkundrazi, sipas mbrojtjes dëshmia e dëshmitarit 2 konfirmon se i akuzuari nuk kishte ndjekur udhëzimet e Thaçit për të ndikuar në dëshminë që pritej të ndodhte në gjykimin e këtij të fundit për krime lufte.

“Ishte mashtruese nga ana e Prokurorisë që të mbante këtë material të fshehtë nga gjyqtarja paraprake”, thuhet në parashtrim.

Mbrojtja e të akuzuarit thotë se mbajtja e këtij raporti të dëshmitarit 2 i cili thoshte se i akuzuari nuk ka ndjekur udhëzimet e Thaçit për të ndikuar në dëshminë e tij, do të thotë se nuk u mor në konsideratë nëse ZPS-ja mund ta vërtetonte se veprimi i të akuzuarit përmbante më shumë thjesht veprimet paraprake.

Mbrojtja pretendon se ka mundësi që ofrimi i kësaj interviste të dëshmitarit 2 mund të çonte në konkluzione që Smakaj nuk mori pjesë në përpjekjet e përbashkëta për të ndikuar në dëshminë e këtij dëshmitari edhe pse e kishte mundësinë.

Po ashtu mund të arrihej në konkluzione, sipas mbrojtjes, që pasi Smakaj refuzoi të ndikonte në dëshmitar, tregon se nuk kishte qëllim i akuzuari që të ndikonte të dëshmitarët ose ta ndihmonte Thaçin në kryerjen e veprës penale për mosbindje ndaj gjykatës.

Po ashtu, mbrojtja pretendon se me ofrimin e kësaj interviste tek gjyqtarja e procedurës paraprake, mund të arrihej në përfundimin se veprimet e Smakajt nuk kishin të bënin me përpjekje të pengimit të punës së zyrtarëve të DhSK-së ose ZPS-së si dhe ndikim në dëshminë e dëshmitarit 2.

Mosshpërndarja e kësaj interviste, sipas mbrojtjes, pa dyshim që ka ndikim në vendimin e gjyqtares. Sipas tyre, edhe nëse kërkesa për konfirmimin e aktakuzës nuk do të ishte refuzuar, ajo mund të kishte pasur ndryshime në vendimin e gjyqtares së procedurës paraprake. Aty thuhet se nëse asgjë nuk do të ndryshohej, do të ndryshohej të paktën arsyetimi që kërkohet nga Rregulli 86 (5).

“Nuk dihet me saktësi pse intervista e Dëshmitarit 2 u mbajt e fshehur nga Gjykatësi i Parë, por një konkluzion i qartë është se ajo u mbajt nga Prokuroria Speciale pikërisht sepse mund të kishte mbështetur një përfundim nga Gjykatësi i Parë që do të kishte refuzuar konfirmimin e aktakuzës lidhur me të Akuzuarin, qoftë në tërësi, qoftë pjesërisht, mbi bazat e përshkruara në paragrafët 47 dhe të ngjashme”, thuhet në parashtrimin e Rees.

Sipas mbrojtjes, mund të mos jetë e nevojshme që të hetohet arsyeja se pse intervista e dëshmitarit 2 u mbajt e fshehtë. Por, sipas tyre, mbajtja e fshehtë e informacionit të rëndësishëm duhet të jetë faktor kyç në përcaktimin nëse vendimi për konfirmimin e aktakuzës duhet të anulohet për shkak të shkeljeve të detyrave zyrtare.

Si rrjedhojë, mbrojtja kërkon që për arsyet e lartpërmendura, Gjykata duhet të urdhërojë pezullimin e procedurave për akuzat 13 dhe 14 në aktakuzë si pasojë e abuzimeve me detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës së kofirmuar me 29 nëntor 2024, Smakaj ngarkohet për dy vepra penale. Ai akuzohet për tentim për të penguar përmes veprimeve të përbashkëta të grupit, personat zyrtarë në kryerjen e detyrae zyrtare midis së paku 9 shtatorit 2023 dhe 30 tetorit 2023, e dënueshme sipas Neneve 17, 21, 33, 35 dhe 401(2) dhe (5) të KPK-së sipas Neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Po ashtu, Smakaj akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës së paku midis 9 shtatorit 2023 dhe 30 tetor 2023 e dënueshme sipas neneve 21, 33 dhe 393 të KPK-së, sipas neneve 15(2) dhe 16(3) të ligjit të Gjykatës Speciale.

Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor 2024.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës