BE bën thirrje për uljen e tensioneve para protestës së 15 marsit në Beograd

Bashkimi Evropian i tha Serbisë se vlerat themelore janë në thelb të “projektit tonë të përbashkët evropian” dhe duhet të respektohen, teksa bëri thirrje për uljen e tensioneve. Ky reagim i Brukselit vjen pas paralajmërimeve për një tubim të madh në Beograd, që planifikohet të mbahet më 15 mars, në të cilin autoritetet serbe parashohin…

Lajme

12/03/2025 10:14

Bashkimi Evropian i tha Serbisë se vlerat themelore janë në thelb të “projektit tonë të përbashkët evropian” dhe duhet të respektohen, teksa bëri thirrje për uljen e tensioneve.

Ky reagim i Brukselit vjen pas paralajmërimeve për një tubim të madh në Beograd, që planifikohet të mbahet më 15 mars, në të cilin autoritetet serbe parashohin që të ketë “dhunë të madhe”, teksa presidenti i shtetit ka paralajmëruar arrestime.

“Kjo ka të bëjë po ashtu me lirinë e tubimit si e drejtë themelore”, u tha në përgjigjen dërguar për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e BE-së.

Po ashtu, BE-ja tha se pjesëmarrja e qytetarëve luaj rol kyç në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike, duke përfshirë edhe promovimin e transparencës dhe përgjegjësisë.

Ditëve të fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar disa herë se “opozita do të organizojë një dhunë të madhe më 15 mars” dhe se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në të do të arrestohen”.

“BE-ja vazhdimisht bën thirrje për uljen të tensioneve, duke krijuar kushte për një dialog përfshirës që përfshin të gjitha palët e interesuara, përfshirë aktorët politikë, institucionet dhe anëtarët e shoqërisë civile, për t’u marrë me reformat e nevojshme për të ardhmen e Serbisë në BE”, thuhet në përgjigjen nga Brukseli.
Zyrtarët e BE-së konfirmuan se po ndjekin me kujdes situatën e brendshme politike në Serbi dhe mobilizimin e madh të studentëve dhe grupeve të tjera.

Kur u pyetën për deklaratat e Vuçiqit, që thotë se Perëndimi qëndron pas “revolucionit shumëngjyrësh”, ashtu siç ai e quan mobilizimin e studentëve dhe qytetarëve në Serbi, zyrtarët e BE-së theksuan se “dezinformatat dhe retorika politike, përfshirë ato kundër BE-së dhe shteteve anëtare nuk kanë vend në rrugën drejt integrimit në BE”.

Studentët e Serbisë kanë ftuar për një tubim, që e kanë cilësuar si “mbledhjen më masive ndonjëherë”, në kryeqytetin e Serbisë më 15 mars.

Në Beograd janë nisur tashmë me këmbë studentë nga rajone të ndryshme të Serbisë, të cilët do të kalojnë dhjetëra kilometra për të marrë pjesë në tubimin në Beograd.
Studentët në Serbi tash e katër muaj po organizojnë tubime në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, pas shembjes të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

Studentët, përmes bllokadave dhe protestave, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit lidhur me rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin, ndjekjen penale të sulmuesve të pjesëmarrësve në protestat e deritanishme, si dhe pezullimin e procedurave ndaj të arrestuarve në demonstrata.

Autoritetet serbe pretendojnë se kanë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, ndërkohë që një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit ka mohuar këtë pretendim në raportin e tij.