Distancë minimale prej 500 metrash – Komuna e Mitrovicës apelon qytetarët për të mbajtur masat e sigurisë kur vizitojnë Parkun e Energjisë së Erës në Bajgorë
Komuna e Mitrovices u bën thirrje qytetarëve të mbajnë distancën minimale prej 500 metrash nga turbina e erës për t’u mbrojtur nga rreziqet e mundshme, veçanërisht gjatë dimrit, kur gjenden pranë “Parkut të Energjisë së Erës” në Bajgorë. “Për të shmangur rreziqe të tilla si hedhja e akullit nga turbina dhe objektet që mund të…

Lajme
Komuna e Mitrovices u bën thirrje qytetarëve të mbajnë distancën minimale prej 500 metrash nga turbina e erës për t’u mbrojtur nga rreziqet e mundshme, veçanërisht gjatë dimrit, kur gjenden pranë “Parkut të Energjisë së Erës” në Bajgorë.
“Për të shmangur rreziqe të tilla si hedhja e akullit nga turbina dhe objektet që mund të bien”- thuhet në njoftimin e datës 10.03.2025.
Respektimi i kufizimeve të shpejtësisë gjatë vozitjes në hapësirat e Parkut është tjetra këshillë që Komuna jep për qytetarët.
“Erërat e fuqishme, rënia e akullit dhe objektet që bien përbëjnë rrezik, prandaj mbani distancë të sigurt nga turbinat dhe pajisjet lëvizëse”- thuhet tutje në njoftimin e Komunës.
Mes tjerash, Komuna njofton qytetarët t’i lexojnë njoftimet të cilat do të publikohen në vijim në lidhje me këtë çështje.
Duke theksuar se rreptësisht të ndaluara janë hudhja e mbeturina, ndezja e zjarreve dhe ecja jashtë rrugës.
E ngasja jashtë rrugës sipas njoftimit paraqet rreziqe serioze për sigurinë për shkak të terrenit të pjerrët dhe rrezikut të aksidenteve ose përmbysjes së automjeteve dhe dëmton ndjeshëm përpjekjet e vazhdueshme për rehabilitimin dhe rivendosjen e mjedisit natyror në zonën e fermës së erës.
“Ju lutemi sigurohuni që të gjitha automjetet të qëndrojnë në rrugët e përcaktuara për të mbrojtur sigurinë tuaj dhe mjedisin. Kushtojini vëmendje të veçantë: rreziqeve në rrugë, rrëshqitjeve të dheut dhe zonave të cenueshme nga erozioni. Ngasja jashtë rrugës është rreptësisht e ndaluar. Siguria juaj është prioriteti ynë kryesor”- përfundon Komuna e Mitrovicës së Jugut në njoftimin e lëshuar më 10.03.2025.