Furnizimi i UÇK-së me cigare e ushqim: Gjykata Speciale pranon prova të reja në rastin e Thaçit dhe të tjerëve
Kur gjykimi i krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit, me pak dëshmitarë të Prokurorisë që do të përfundojnë në fillim të prillit, Prokuroria ka dorëzuar prova të reja të cilat janë pranuar nga trupi gjykues. Në tri vendime të ndryshme, Gjykata Speciale ka pranuar si prova në procedurë, dokumente për organizimin e UÇK-së në…

Lajme
Kur gjykimi i krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit, me pak dëshmitarë të Prokurorisë që do të përfundojnë në fillim të prillit, Prokuroria ka dorëzuar prova të reja të cilat janë pranuar nga trupi gjykues.
Në tri vendime të ndryshme, Gjykata Speciale ka pranuar si prova në procedurë, dokumente për organizimin e UÇK-së në zona të ndryshme. Fjala është për zonën e Drenicës, Llapit dhe zonës së Shalës dhe Karadakut.
Në tri vendimet e trupit gjykues, të cilat i ka parë Nacionale, trupi gjykues ka konstatuar se këto dokumente janë të rëndësishme për organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e Shtabit të Përgjithshëm.
Kur dihet se gjykimi është në fund, këto janë në suazin e dëshmive të fundit të cilat Prokuroria kërkon të pranohen, dhe të cilat më pas aprovohen nga trupi gjykues në Hagë, raporton Nacionale.
Zona e Drenicës
Vendimi i parë i Trupit Gjykues ka pranuar prova të ndryshme lidhur me organizimin e UÇK-së në Drenicë. Këto dokumente flasin për njësi të veçanta, brigade, komandantë, e vendime të tjera të UÇK-së në zonën e Drenicës.
Dokumentet flasin deri në detaje edhe për Njësinë e Grave, madje edhe rolin e kuzhinierëve.
“Ekspozita e Propozuar përbëhet nga një faqe e shkruar me dorë titulluar “Njësia Ushtarake e Grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Rregullat e Punës”; (iii) Ekspozita e Propozuar 5 përbëhet nga një “raport pune” i shkruar dorazi me titull Trajnimi për Njësinë e Grave”; Ekspozita e Propozuar 15 përbëhet nga një dokument i titulluar “Regjistri i Punonjësve të Kuzhinës (kuzhinierët, ndihmësit e tyre) dhe Personeli Teknik i Kazermës Ushtarake ‘Guri’” dhe orari i punës i tyre; (vii) Ekspozita e Propozuar 21 përbëhet nga një orar i përditshëm për Stafin e Zonës së Drenicës. Ekspozita e Propozuar 23 përbëhet nga një leje udhëtimi dhe mbajtje arme; (ix) Ekspozita e Propozuar 24 përbëhet nga një shënim i nënshkruar nga “Komandanti Sandokan Abedin Rexha” që emëron Musë Dervishin si përgjegjës për fshatin Kastriot, datuar 20 korrik 1998”, thuhet në një pjesë të vendimit.
Prova të tjera janë me nënshkrime të Sami Lushtakut, Jahir Demakut dhe eprorëve të tjerë në zonën e Drenicës. Madje, ka vendime edhe për furnizimin e UÇK-së me cigare, karburant, veshmbathje dhe të tjera.
“Ekspozitat e Propozuara 38-39, 42, 52, dhe 64-65 përbëjnë urdhra të ndryshëm, komunikata dhe kërkesa, disa prej të cilëve janë nënshkruar; (xvi) Ekspozita e Propozuar 43 përbëhet nga një dëshmi e nënshkruar nga “Komandanti Sami Lushtaku”; (xvii) Ekspozitat e Propozuara 45, 47-48, 54-57, 60-61, dhe 63 përbëjnë të ardhura të ndryshme, certifikata dhe shënime të shkruara dorazi për fonde, ushqim, karburant, cigare dhe veshmbathje, disa prej të cilëve janë nënshkruar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Speciale.
Zona e Llapit
Gjykata Speciale e Hagës ka pranuar një sasi të provave ndërlidhur me zonën komanduese të Llapit, nëpërmjet të cilave synon të dëshmojë zinxhirin komandues në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare, mocioni i Prokurorisë është miratuar pjesërisht ku si rezultat janë pranuar disa prova.
“Në lidhje me rëndësinë e Dëshmive të Propozuara 1-77, Paneli vëren se ato lidhen me organizatën e UÇK-së në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999. Paneli vëren gjithashtu se: (i) Dëshmitë e Propozuara 1-13 përbëhen nga vendime që lidhen me emërimin e funksionarëve të rangut të lartë në zonën e Llapit si dhe Brigadat 151 dhe 152 (“Vendime të Emërimit”); (ii) Dëshmitë e Propozuara 14-20 përbëhen nga lista individësh të regjistruar nga UÇK në Llap në vitin 1998 (“Dokumente të Regjistrimit”)”, thuhet në fillim të vendimit, raporton Nacionale.
“Dëshmitë e Propozuara 30-36 përbëhen nga shënime, raporte dhe memorandume të UÇK-së që mbulojnë periudhën midis qershorit 1998 dhe prillit 1999 (“Memorandume”); (v) Dëshmitë e Propozuara 37-41 përbëhen nga dokumente dhe shabllone të standardizuara që përdor UÇK-ja (“Shabllone”); (vi) Dëshmitë e Propozuara 42-54 përbëhen nga dokumente, plane dhe programe që lidhen me aktivitetet e trajnimeve të UÇK-së (“Dokumente Trajnimi”); (vii) Dëshmitë e Propozuara 55-61 përbëhen nga dokumente që lidhen me financat e zonës së Llapit, pronësinë e armëve dhe furnizimet, si dhe kodet e komunikimit (“Dokumente Logjistike”); dhe (viii) Dëshmitë e Propozuara 62-77 përbëhen nga urdhra të UÇK-së që lidhen kryesisht me çështje civile (“Urdhërat për Çështje Civile”)”, thuhet më tutje.
Një tjetër sasi e dokumenteve të pranuara, flet për një vizitë që e kishte bërë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi në zonën e Llapit.
“Paneli gjithashtu vëren se Prokuroria mbështetet në Dëshmitë e Propozuara që lidhen me organizatën e UÇK-së në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999 për të dëshmuar, ndër të tjera, se: (i) në gusht 1998, një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (“Shtabi i Përgjithshëm”), përfshirë Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, vizituan zonën e Llapit dhe dhanë emërime formale me shkrim për anëtarët e Komandës së Llapit, përfshirë Kryetarin e Inteligjencës, Latif Gashin; (ii) Komanda e zonës së Llapit mbante takime, ishte përgjegjëse për të gjitha njësitë e UÇK-së në Llap, ishte shpesh në kontakt me komandantët në zona të tjera, dhe ishte në kontakt me Shtabin e Përgjithshëm (përfshirë të Akuzuarit), duke bërë raporte dhe duke marrë urdhra, udhëzime dhe rregullore”, thuhet më tutje në vendim.
Pavarësisht se jo të gjitha vendimet janë të nënshkruara, gjyqtarët kanë konstatuar se ato kanë simbolin e UÇK-së.
“Në lidhje me autenticitetin, Paneli vëren se, edhe pse jo të gjitha Vendimet e Emërimit janë të nënshkruara, ato kanë një simbol të UÇK-së dhe përmend një datë të caktuar dhe zonën e Llapit si autoritetin që lëshon. Përmbajtja dhe substanca e tyre gjithashtu tregon origjinën e tyre. Për më tepër, një nga Vendimet e Emërimit ka vulën e UÇK-së dhe është e nënshkruar, ndërsa nëntë prej tyre duket se janë të nënshkruara nga Zëvendës Komandanti i Llap, Kadri Kastrati”, thuhet në vendim.
Nëpërmjet këtyre dokumenteve, Prokuroria synon të dëshmojë se UÇK-ja ka qenë një ushtri e rregullt e me zinxhir komandues të mirëfilltë.
Zona e Karadakut dhe Shalës
Edhe për dy zonat e tjera, Gjykata Speciale ka pranuar dokumente të cilat në detaje tregojnë për funksionimin e UÇK-së. Madje, deri në deklarata ku një ushtar nënshkruante për t’u pranuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Në lidhje me Ekspozitat e Propozuara 1-28, Paneli vëren se: (i) Ekspozitat e Propozuara 1-4 përbëhen nga dokumente që përmbajnë lista ushtarësh, planet e trajnimit dhe një kërkesë për të marrë pjesë në trajnimin e njësisë speciale; (ii) Ekspozita e Propozuar 5 përbëhet nga rregullore të shërbimit të UÇK-së; (iii) Ekspozita e Propozuar 6 përbëhet nga një koleksion lejesh për lëshimin e benzinës dhe naftës; (iv) Ekspozitat e Propozuara 7 dhe 11-12 përbëhen nga oraret e shërbimit të rojeve dhe orare të oficerëve të shërbimit; (v) Ekspozita e Propozuar 8 përbëhet nga një dokument i Shtabit Operacional të UÇK-së të Çyçavicës me një listë emrash të personave që do të udhëtonin në Gllogjan për të marrë armë”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.
Madje, një dokument është një fjalim i një ndihmës-komandanti për logjistikë.
“Ekspozitat e Propozuara 10, 17-18, 20-22, dhe 25 përbëhen nga shënime, raporte, ditarë dhe faqe notebook-u të shkruara me dorë dhe me makinë; (viii) Ekspozita e Propozuar 13 përbëhet nga një fjalim i shkruar me dorë për ndihmës-komandantin për logjistikë të Zonës Operacionale Shala; (ix) Ekspozita e Propozuar 14 përbëhet nga një dokument i UÇK-së, i nënshkruar nga një Komandant, që jep autorizimin për të kryer punime riparimi; (x) Ekspozita e Propozuar 15 përbëhet nga një foto e një deklarate nga një ushtar që pranon të bashkohet me UÇK-në”, thuhet më tutje.
Në fillim të prillit, pritet të përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë, dhe si rezultat, mbrojtja do të kërkojë hudhjen e aktakuzës.