Me kërkesë të Prokurorisë, sot rinumërohen votat e LDK-së në Vushtrri
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, dje ka lëshuar urdhër për rinumërimin e votave të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga vendvotimet në Vushtrri. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili ka thënë se sot do të bëhet rinumërimi i tyre, shkruan lajmi.net. “Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore…

Lajme
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, dje ka lëshuar urdhër për rinumërimin e votave të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga vendvotimet në Vushtrri.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili ka thënë se sot do të bëhet rinumërimi i tyre, shkruan lajmi.net.
“Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë. Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit. Gjatë kohës sa KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP, do të bëhet rinumërimi i kërkuar”, ka thënë Elezi.
Prokuroria ka lëshuar urdhëresë pasi kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi ka shtruar dyshimet e saj lidhur me keqpërdorime e votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri. Sipas prokurorisë për këtë rrethanë janë ndërmarrë edhe veprime – deklarata nga: ankuesja Rrezarta Krasniqi, dëshmitarët: Çlirim Muli, Mehmet Ferati, Shkëlzen Osmani, Betim Grabanica, Pajtim Grabanica dhe Betim Xhema. Njëherësh janë shqyrtuar edhe dokumentacionet përkatëse.
Prokuroria ka obliguar hetuesin e rastit që të kontaktojë me zyrtarët përgjegjës të KQZ-së në Prishtinë dhe në koordinim me të njëjtit, të caktohet një datë e përshtatshme lidhur me krijimin e mundësive për zbatimin e kërkesës për rinumërim në objektet e QNR-së në Prishtinë.
Po ashtu prokuroria obligon zyrtarët përgjegjës pranë KQZ-së në Prishtinë, që hetuesve policorë, t’u mundësojë qasje në të gjitha pikat e përcaktuara për zbatimin sa më të lehtë të kërkesës së paraqitur nga prokuroria, derisa ka obliguar anëtarët e komisionit për të qenë të pranishëm gjatë procesit të rinumërimit të votave dhe për të verifikuar nëse ka ndonjë mos përputhje me numërimin e parë të votave.