“Nuk interesohen për të luftu krimin e korrupsionin”, “Janë barrikaduar” – Dy deklaratat e Kurtit ndaj prokurorëve, çka tha Sistemi Prokurorial?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme është deklaruar për media pasi ka shpërfillur urdhrin e Gjykatës për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale, duke sulmuar prokurorët e kësaj të fundit dhe sistemin e hetuesisë e të drejtësisë në përgjithësi. Kurti ka vlerësuar se prokurorët janë “barrikaduar”, në Prokurorinë Speciale dhe në Këshillin Prokurorial,…

Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme është deklaruar për media pasi ka shpërfillur urdhrin e Gjykatës për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale, duke sulmuar prokurorët e kësaj të fundit dhe sistemin e hetuesisë e të drejtësisë në përgjithësi.
Kurti ka vlerësuar se prokurorët janë “barrikaduar”, në Prokurorinë Speciale dhe në Këshillin Prokurorial, duke thënë se kjo “shtë për të ardhur keq”.
Kurti: Janë barikaduar prokurorët, është dëm për shtetin tonë – s’ndryshoj qëndrim as unë
“Ju e dini që zgjedhjet në Kosovë nuk mbahen për kryeprokuror, mbahen për kuvend për ekzekutiv të ri. Kryeprokurorët janë aty të barrikaduar si në Prokurorinë Speciale, sidomos në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe kjo është për të ardhur keq, dhe ky është në dëm i vazhdueshëm, një padrejtësi e pafalshme që po i bëhet shtetit tonë. Përderisa prokuroria nuk ndryshon qasje dhe nuk ndryshon as udhëheqja se këto dy gjëra po duken të lidhura me njëra tjetrën, nuk kam pse ndryshoj qëndrim as unë”, ka thënë ai mes tjerash.
Për të mos e lënë me kaq, kryeministri i vendit i ‘goditi’ ata duke u thënë se “po të ishin të interesuar për dëshmi do të vinin tek unë, por interesohen ta luftojnë qeverinë e jo korrupsionin”.
“Një prokuror që e ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit ai nuk humb kohë, pra shtrohet pyetja pse i humb prokuroria këto… për shkak se është më e interesuar të mbushë ballinat e portalit të ndonjë oligarkut se sa të sjellë dëshmi. Po e përdor e keqpërdorë lirinë për të luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionit. Kam qenë dhe jam i gatshëm që të dëshmojë. S’ka qeveri që e ka luftuar krimin dhe korrupsionin sikurse qeveria jonë në këto katër vite dhe po ashtu këtë e dëshmojnë qytetarët me mbështetjen masive që na kanë dhënë në këto zgjedhje”, u shpreh sot ai para mediva.
Ndryshe, deklaratave të kryeministrit i ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial dhe ZKPSH.
Në reagimin e tyre thuhet se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit.
“KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se qysh më 10 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të paraqitet më datë 16.12.2024 në ambientet e tyre. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është i thirrur si dëshmitar në lëndën PPS.nr.62/2023, në një rast që ka të bëjë me veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar kryeministrit (të publikuar nga Kryeziu) përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.
Në ftesën e Prokurorisë që e kishte publikuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thuhej ndër të tjera se Kurti është i detyruar t’i përgjigjet thirrjes.
“Në rast të mosparaqitjes, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje”, shkruhet në thirrjen e Kurtit si dëshmitar nga Prokuroria Speciale.
Deri më tani, Kurti ka pasur tri thirrje nga Prokuroria Speciale. I njëjti, vazhdon të këmbëngul që të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Kryeministri, anipse tashmë ai ka pranuar edhe një urdhër-paraqitje nga gjykata./Lajmi.net/