Vëllai i të akuzuarit për vrasjen në “Interex” thotë se kur iu shkoi Policia para shtëpisë ai i tha se s’dinte pse janë aty
Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Fadil Syla, i cili është vëllai i Arsim Sylës- i akuzuar për vrasjen e V.B., në “Interex”, tha se ditën kritike kur kishte shkuar Policia tek shtëpia e tyre, vëllai i kishte thënë se nuk e dinte pse janë aty. Në këtë rast, Arsim…

Lajme
Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Fadil Syla, i cili është vëllai i Arsim Sylës- i akuzuar për vrasjen e V.B., në “Interex”, tha se ditën kritike kur kishte shkuar Policia tek shtëpia e tyre, vëllai i kishte thënë se nuk e dinte pse janë aty.
Në këtë rast, Arsim Syla akuzohet për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari Syla tha se në ditën kritike ishte në shtëpi, duke u përgatitur për të shkuar në Shqipëri.
Ai deklaroi se kishte parë veturat e Policisë para shtëpisë dhe i kishte pyetur se çfarë kishte ndodhur. Të njëjtën pyetje, dëshmitari thotë se ia bëri edhe vëllait- tani të akuzuarit Arsim Syla.
“E pyeta pse kanë ardhë Policia këtu, a di gjë çka ka ndodh. Më tha nuk e di”, u shpreh dëshmitari.
Gjatë dëshmisë, dëshmitari Syla tha se Policia i kishin thënë se ishin aty për të bërë roje. Për këtë, prokurori Arben Hoti e pyeti nëse kishte ndonjë arsye që Policia të bënte roje.
Por, Syla tha se nuk kishte ndonjë arsye. Tha se tani të ndjerin V.B., nuk e ka njohur.
Pas përfundimit të dëshmisë, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku, njoftoi se në radhë ishte administrimi i provave materiale.
Mirëpo, me propozim të prokurorit Hoti i cili tha se nuk është bartës i lëndës dhe se në këtë seancë është me zëvendësim, seanca u ndërpre për të vazhduar në të radhës me administrimin e provave materiale.
Problemet teknike pamundësuan dëgjimin e dëshmitares…
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.
Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.
I njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.
Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, i ndjeri V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.
Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.
Me këtë i pandehuri Arsim Syla ngarkohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.