“Mbrojtja e Afërt s’mund të pengojë zbatimin e urdhrave”-Arrestimi që mund t’i bëhet Kurtit, si do të përballeshin zyrtarët policorë me kolegët?

As sot kryeministri Albin Kurti nuk u paraqit në objektin e Prokurorisë Speciale që të dëshmojë në rastin e “Rezervave Shtetërore”. Ai vendosi që të marrë pjesë në përurimin e një çerdheje në Gjilan, në po të njëjtën orë që Kurti u ftua për intervistim, saktësisht në ora 10:00, raporton lajmi.net. Kurti vendosi që të…

Lajme

04/03/2025 13:08

As sot kryeministri Albin Kurti nuk u paraqit në objektin e Prokurorisë Speciale që të dëshmojë në rastin e “Rezervave Shtetërore”.

Ai vendosi që të marrë pjesë në përurimin e një çerdheje në Gjilan, në po të njëjtën orë që Kurti u ftua për intervistim, saktësisht në ora 10:00, raporton lajmi.net.

Kurti vendosi që të refuzojë madje edhe kërkesën për urdhër-paraqitje që të premten ia përcolli Gjykata Themelore në Prishtinë. Kësisoj Kurti sot u paraqit në Gjilan, nga ku “sulmoi” prokurorët duke i kritikuar se duan të merren më tepër me qeverinë e tij, se sa me luftimin e krimit e korrupsionit.

Në lidhje me mos-dhënien e dëshmisë dhe mos-paraqitjen e tij në Prokurori, lajmi.net ka kontaktuar drejtorin ekzekutiv të IKD-së, Ehat Miftaraj.

Miftaraj tha se një kryeministër duhet të bashkëpunojë me institucionet e vendit e jo ti refuzojë ato, tutje ai tha se sa i përket aspektit procedural, ndaj Kryeministrit Kurti tashmë ka një urdhër të Gjykatës që i njëjti të dëshmojë.

Tutje Miftaraj është pyetur se a bien ndesh zyrtarët policorë të Mbrojtjes së Afërt me zyrtarët e tjerë policorë në rast të urdhrit për arrestimin e kryeministrit, ku tha se Mbrojtja e Afërt është për t’i ofruar siguri kryeministrit në rast se i cenohet siguria, por jo për të ndërhyrë në zbatimin e urdhrave të ligjshëm.

Kujtojmë se qysh më 10 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të paraqitet më datë 16.12.2024 në ambientet e tyre. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është i thirrur si dëshmitar në lëndën PPS.nr.62/2023, në një rast që ka të bëjë me veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar kryeministrit (të publikuar nga Kryeziu) përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.

Në ftesën e Prokurorisë që e kishte publikuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thuhej ndër të tjera se Kurti është i detyruar t’i përgjigjet thirrjes.

“Në rast të mosparaqitjes, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje”, shkruhet në thirrjen e Kurtit si dëshmitar nga Prokuroria Speciale.

Deri më tani, Kurti ka pasur tri thirrje nga Prokuroria Speciale. I njëjti, vazhdon të këmbëngul që të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Kryeministri, anipse tashmë ai ka pranuar edhe një urdhër-paraqitje nga gjykata./Lajmi.net/

Lajme të fundit