Britania thotë se “s’ka marrëveshje” me Francën për propozimin e armëpushimit në Ukrainë

Franca dhe Britania e Madhe nuk kanë rënë dakord për një plan armëpushimi të pjesshëm për Ukrainën, tha një ministër britanik të hënën, raporton agjencia e lajmeve AFP, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se një propozim i tillë ishte bërë nga dy vendet. Macron i tha gazetës franceze Le Figaro të dielën se Londra dhe Parisi…

Bota

03/03/2025 10:34

Franca dhe Britania e Madhe nuk kanë rënë dakord për një plan armëpushimi të pjesshëm për Ukrainën, tha një ministër britanik të hënën, raporton agjencia e lajmeve AFP, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se një propozim i tillë ishte bërë nga dy vendet.

Macron i tha gazetës franceze Le Figaro të dielën se Londra dhe Parisi po propozojnë një armëpushim njëmujor në Ukrainë “në ajër, në det dhe për infrastrukturën energjetike”.

Macron tha se ky armëpushim fillimisht nuk do të përfshinte luftimet tokësore.

“Asnjë marrëveshje nuk është arritur mbi atë se si do të duket një armëpushim”, tha ministri britanik i Forcave të Armatosura, Luke Pollard, për Times Radio.

“Por, ne po punojmë së bashku me Francën dhe aleatët tanë evropianë për të shqyrtuar se cili është rrugëtimi drejt krijimit të një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi ai.

Një zyrtar i qeverisë britanike gjithashtu minimizoi çdo marrëveshje të mundshme.

Duke folur në kushte anonimiteti, ai tha per Reuters se “ka opsione të ndryshme mbi tryezë, të cilat janë subjekt i diskutimeve të mëtejshme me SHBA-në dhe partnerët evropianë, por një armëpushim njëmujor nuk është rënë dakord”.

Komentet e Macronit erdhën pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, thirri bisedime urgjente për Ukrainën me liderët evropianë, kreun e NATO-s, Mark Rutte, dhe Kanadanë, në qendër të Londrës të dielën.

“Ashtu siç tha kryeministri në konferencën e tij për shtyp, ne kemi nevojë dhe dëshirojmë të përparojmë me shpejtësi dhe jemi të kënaqur që samiti ka mundësuar që diskutimet të ecin përpara. Këto diskutime do të vazhdojnë me ritëm të shpejtë”, tha një zëdhënës i Downing Street.

Takimi përfshiu dhjetëra liderë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas.

Të pranishëm në takimin në Londër ishin edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në konferencë nuk mori pjesë ndonjë përfaqësues i SHBA-së. Vizita e Zelenskyt në Uashington më 28 shkurt u ndërpre para kohe pas përplasjes me presidentin Donald Trump dhe nënpresidentin amerikan, JD Vance. REL