27 vjet nga masakra e Likoshanit dhe Qirezit, qytetarë e fytyra publike mblidhen për t’i përkujtuar viktimat

Sot bëhen 27 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës – Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe. Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj,…

Lajme

28/02/2025 12:29

Sot bëhen 27 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës – Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat, ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.

Në rrethimin e fshatrave, armiku përdori artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke.

Qysh në ditën e parë të luftimeve, armiku kreu masakrat ndaj civilëve, vetëm në familjen Ahmeti vrau 11 persona.

E sot, 27 vjet më vonë qytetarë të shumtë, fytyra publike e politikanë të vendit kanë vizituar Likoshanin për të përkujtuar të gjithë të rënët për lirinë e këtij vendi.

Masakra në Likoshan dhe Qirez mbetet një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë, por edhe një moment kur vendosmëria për liri u bë e pathyeshme.