BE shpreh shqetësim rreth ndërhyrjes në organizatat e shoqërisë civile në Serbi
Bashkimi Evropian është duke i ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh zhvillimet rreth ndërhyrjeve të autoriteteve në Serbi ndaj disa organizatave të shoqërisë civile. Kështu ka thënë të mërkurën një zëdhënës i Bashkimit Evropian, duke u përgjigjur në pyetjet rreth veprimeve të fundit të Policisë në Serbi e cila ka ndërmarr operacione në zyrat…

Lajme
Bashkimi Evropian është duke i ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh zhvillimet rreth ndërhyrjeve të autoriteteve në Serbi ndaj disa organizatave të shoqërisë civile.
Kështu ka thënë të mërkurën një zëdhënës i Bashkimit Evropian, duke u përgjigjur në pyetjet rreth veprimeve të fundit të Policisë në Serbi e cila ka ndërmarr operacione në zyrat e disa organizatave të shoqërisë civile.
“Shoqëria civile luan një rol vital në zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe pluraliste dhe ajo duhet të veprojë në mënyrë të lirë dhe pa presion. Këto janë vlera të cilat jo vetëm se janë në themel të Bashkimit Evropian, por janë edhe të domosdoshme për të ardhmen e secilit vend kandidat që dëshiron të anëtarësohet në BE”, ka thënë ky zëdhënës.
Më 25 shkurt, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka njoftuar se ka hapur një rast në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga disa organizata joqeveritare në Serbi.
Prokuroria ka konfirmuar po atë ditë se Policia e Serbisë ka nisur “të mbledhë informata” për punën e katër OJQ-ve: Qendrës për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), Iniciativave Qytetare, Qendrës për Politika Praktike, dhe Fondacionit Trag.
CRTA dhe Iniciativat Qytetare kanë konfirmuar se Policia ka bastisur zyrat e tyre në mëngjesin e 25 shkurtit.
Aksioni i autoriteteve serbe erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kufizoi punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të tij, më 24 janar, para një auditimi të agjencisë, e cila u themelua më 1961, me qëllim koordinimin më të mirë të ndarjes së ndihmave amerikane jashtë vendit.
Që prej kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID-in “organizatë kriminale”.
“Siç kemi thënë edhe në paketën e fundit të zgjerimit, nga Serbia pritet që të sigurojë një ambient të përshtatshëm për veprimin e shoqërisë civile. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë për së afërmi zhvillimet në Serbi” thuhet në këtë prononcim të zëdhënësit të Komisionit Evropian.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i ndihmojë Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) në hetimet e saj rreth financimit të OJQ-ve serbe nga USAID-i dhe nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).
“Pa dyshim se ne do të bashkëpunojmë ngushtë me FBI-në për këtë çështje”, ka thënë Vuçiq për televizionin Happy, duke shtuar se FBI do të marrë çfarëdo informate që ka nevojë nga Serbia.
Roli i USAID-it
Pasi presidenti amerikan kufizoi punën e USAID-it, administrata presidenciale amerikane po shqyrton futjen e agjencisë nën ombrellën e Departamentit të Shtetit, si pjesë e një riorganizimi të madh që do të reduktonte numrin e punonjësve.
Sipas shifrave të fundit, USAID-i ka rreth 10.000 punonjës, dy e treta e të cilëve punon jashtë SHBA-së.
Në vitin fiskal 2023, USAID-i shpërndau ndihma me vlerë prej 43.79 miliardë dollarësh.
Pranuesit më të mëdhenj të ndihmave më 2023 ishin Ukraina, Etiopia, Jordania, Republika Demokratike e Kongos, Somalia, Jemeni, Afganistani, Nigeria, Sudani Jugor dhe Siria. REL