Ambasada e Francës: Veprimet në veri dëmtojnë përpjekjet për normalizim

Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se veprimet e Qeverisë në veri të vendit për mbylljen e Qendrave serbe për Punë Sociale i dëmtojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, Franca kërkon që për strukturat paralele serbe ë veri të bisedohen në Bruksel me Serbinë dhe se për këtë,…

Lajme

26/02/2025 11:43

Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se veprimet e Qeverisë në veri të vendit për mbylljen e Qendrave serbe për Punë Sociale i dëmtojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, Franca kërkon që për strukturat paralele serbe ë veri të bisedohen në Bruksel me Serbinë dhe se për këtë, siç thuhet në përgjigje të Ambasadës, përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, është i gatshëm të lehtësojë diskutimet.

“Ne konsiderojmë se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe pajtohemi plotësisht me deklaratat e një zëdhënësi të BE-së të cituar më poshtë: ‘’Mbyllja e strukturave ekzistuese që ofrojnë shërbime themelore sociale për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera, pa një marrëveshje alternative të dakorduar paraprakisht, ndikon negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtyre komuniteteve dhe dëmton drejtpërdrejt përpjekjet për normalizim. Këto çështje duhet të adresohen përmes negociatave ndërmjet palëve. Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, është i gatshëm të lehtësojë diskutimet”., thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Francës për RTV 21.

Po ashtu, Ambasadës së Francës në Kosovë tha se Misioni i EULEX-it është në pritje të detajeve për të verifikuar faktet në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës.

“Kemi marrë parasysh se Policia e Kosovës ka kryer operacione të reja kundër strukturave të mbështetura nga Serbia në veri të Kosovës. Misioni ynë, EULEX, është duke monitoruar situatën në terren në përputhje me mandatin e tij. Ne jemi në pritje të detajeve të mëtejshme për të verifikuar faktet. Siç u tha më parë, statusi i këtyre strukturave dhe shërbimet që ato ofrojnë pritet të zgjidhet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Asnjë kujdes shëndetësor, institucion arsimor, apo strukturë tjetër që ofron shërbime sociale bazë të mbështetur nga Serbia nuk duhet të mbyllet”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Francës.