​Haxhiu: Kushtetuesja sa më shpejt ta nxjerr aktvendimin për ligjin për KPK-në

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit amendamentet kushtetuese për vettingun të cilat ndodhen në Kuvendin e Kosovës do të rikthehen për procedim. Ajo në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që sa më parë të nxjerr aktvendimin lidhur me…

Lajme

26/02/2025 11:06

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit amendamentet kushtetuese për vettingun të cilat ndodhen në Kuvendin e Kosovës do të rikthehen për procedim.

Ajo në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që sa më parë të nxjerr aktvendimin lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Amendamentet kushtetuese për vettingun janë në Kuvendin e Kosovës, gjegjësisht ato rikthehen sepse secili dokument rikthehet nga fillimi në kuptim të procedimit pas zgjedhjeve. Dhe po ashtu ligji për Këshillin Prokurorial është një ligj tepër i rëndësishëm është në Gjykatën Kushtetuese. Vazhdojmë të shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do ta nxjerr aktgjykimin në raport me ligjin për Këshillin Prokurorial si një reformë shumë e madhe në sistemin prokurorial sa më shpejt që është e mundshme, duke pas parasysh që është hera e dytë që po e trajton një ligj të tillë”, theksoi ajo.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se tashmë mekanizmat koordinues lokal lidhur me rastet e dhunës në familje do të jenë nën udhëheqjen e kryetarëve të komunave të Kosovës.

“Kanë për qëllim që vajzat dhe gratë në Kosovë të jetojnë të lira dhe pa frikë dhe që dhunuesit të marrin dënimin e merituar. Pas hyrjes në fuqi të ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, ligjvënësi ka caktuar obligime për ministrinë e Drejtësisë në këtë rast ka qenë e obliguar që të nxjerr 5 akte nënligjore të cilat ndërlidhen me implemtimin e ligjit. Ka një përkushtim të jashtëzakonshëm që ligjet që nxirren nga Kuvendi i Kosovës të mos mbeten në letër, por të njëjtat të implementohen sipas përgjegjësive institucionale….. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fuqizohen mekanizmat koordinues lokal dhe kemi hartuar këtë rregullore pikërisht duke pas qëllimin që të fuqizojmë mekanizmat lokal ku janë të përfshirë të gjitha institucionet në nivel lokal qoftë qendrat për punë sociale, strehimoret, policia, prokuroria, gjykatat dhe këto mekanizma lokal do të udhëheqin nga kryetarët e komunës”, theksoi Haxhiu.

Lidhur me miratimin e Linjën Telefonike Emergjente për Viktimat e Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Baza Gjinore, Haxhiu ka thënë se kjo linjë telefonike për viktimat ofron ndihmë të menjëhershme në situata emergjente.

“Do të mundësoj që viktimat dhe qytetarët të lajmërojnë rastet e ndërlidhura me dhunën në familje, pra po ashtu do të njoftohen viktimat me shërbimet që i kanë institucionet e Kosovës për to. Kontakt direkt telefonik në mes të viktimës dhe shërbimeve të institucioneve të Kosovës ofron mbështetje dhe këshillon viktimën për reagim në situatë krize përfshirë edhe udhëzime për sigurinë personale për tejkalim të krizës”, tha Haxhiu.