Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani: Merz do të vazhdojë mbështetjen ndaj Kosovës
Shteti gjerman do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe nën udhëheqjen Friedrich Merz, i cili është në rrugë për t’u bërë kancelar i ri i Gjermanisë, thotë ish-ambasadori i Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu. Ai deklaron se me Merz dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve në Gjermani, CDU/CSU, Kosova mund të avancojë në procesin integrues në…

Lajme
Shteti gjerman do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe nën udhëheqjen Friedrich Merz, i cili është në rrugë për t’u bërë kancelar i ri i Gjermanisë, thotë ish-ambasadori i Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu.
Ai deklaron se me Merz dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve në Gjermani, CDU/CSU, Kosova mund të avancojë në procesin integrues në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Merz, e njeh situatën politike në Kosovë dhe “do të angazhohet për stabilitet në Ballkanin Perëndimor”.
Aleanca konservatore e Gjermanisë CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, fitoi zgjedhjet e 23 shkurtit në Gjermani. E dyta është renditur partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe e treta SPD, Partia Socialdemokrate e Kancelarit aktual, Olaf Scholz.
Fitoren e CDU-së e mirëpret diplomati kosovar, derisa thotë se njëjta ka pasur fokus Kosovën edhe në periudhën e ish-kancelares, Angela Merkel.
Krahas kësaj, Xhakaliu, ka thënë se edhe në Bundestagun gjerman janë zgjedhur deputetë që kanë kontribuar për Kosovën dhe njohin nga afër edhe procesin e dialogut me Serbinë.
“Gjermania ka qenë dhe mbetet mbështetëse kryesore, si vend i BE-së, ndaj proceseve të Kosovës. Në aspektin e projekteve ekonomike apo mbështetjes politike…Natyrisht se me zgjedhjet që u zhvilluan, dhe kancelarin e ardhshëm Friedrich Merz, do të kemi mbështetje. Vëmendja dhe fokusi i CDU-së në kuadër të ish-kancelares Merkel ka qenë për Ballkan, dhe sidomos për Kosovën, që të kemi një stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Prandaj, besoj se është shumë mirë që kemi një rezultat të tillë dhe një koalicion të gjerë i cili do të ketë mbështetje për Kosovën dhe integrimin e Kosovës në proceset e BE-së…Friedrich Merz ka njohuri [për Kosovën] pasi ka qenë gjatë në politikë. Është një afarist dhe ekonomist i suksesshëm. Ne kemi edhe miq të zgjedhur përsëri në Bundestag – parlamentin gjerman, të cilët kanë qenë të familjarizuar me Kosovën. Ata kanë vizituar Kosovën dhe kanë kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Prandaj është një situatë e volitshme me këta miq që i kemi, dhe që janë prapë në qeveri. Disa prej tyre mund të kenë funksione kyçe në ndonjë ministri vendimmarrëse. Kjo është në të mirën tonë”, thekson ai.
Ai pret edhe fuqizim të Procesit të Berlinit – nismë kjo për bashkëpunimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, shteti gjerman pritet të ketë prioritet edhe situatën e sigurisë në Ballkan dhe stabilitetin afatgjatë, duke pas parasysh luftën në Ukrainë dhe mundësinë e ndikimeve nga jashtë.
“Procesi i Berlinit në dy vitet e fundit s’ka pasur aq vëmendje nga qeveria e kaluar. Prandaj besoj se qeveria e ardhshme gjermane do të ketë më shumë fokus në këto procese. Do të jetë një ndihmë më e vlerësuar sesa deri tani, pasi fokusi çdo herë ka qenë që të ketë një stabilitet në Ballkan. Nëse kemi një stabilitet në Ballkan do të kemi një stabilitet edhe në Evropë. Duke pas parasysh situatën në Ukrainë, luftën tani mbi 3-vjeçare dhe një marrëveshje ndoshta e mundshme mes SHBA-së dhe Rusisë pa prezencën e Evropës, ky stabilitet dhe siguri në Ballkan është më se i rëndësishëm. Kjo do të ketë vëmendje të veçantë që të mos kemi ndikime të jashtme apo ndonjë mundësi e trazirave në Ballkan”, shton Xhakaliu.
Duke folur për procesin zgjedhor në Gjermani, ish-ambasadori Xhakaliu, thotë se mandatari për kryeministër nga CDU/CSU, Friedrich Merz, pritet të bëjë koalicion të gjerë me socialdemokratët, partinë e kancelarit aktual, Olaf Scholz.
Ai thekson se Merz nuk do të bëjë koalicion me partinë e të djathtës ekstreme – Alternativa për Gjermaninë (AfD).
“Kancelari kandidat, Friedrich Merz ka bërë të qartë se do të ketë vija të kuqe për një qeveri të përbashkët me AfD-në. Kjo nuk do të jetë pjesë e këtij mandati qeverisës sepse ka shumë dallime në programet të cilat janë paraqitur nga ta në fushatën zgjedhore, por natyrisht edhe para fushatës. Prandaj definitivisht nuk do të jenë pjesë e qeverisë, ani pse ata kanë shprehur gatishmërinë që në ditën e zgjedhjeve. Mirëpo koalicioni i mundshëm i ardhshëm do të jetë me siguri CDU/CSU së bashku me socialdemokratët. Këto dy parti mund të formojnë qeverinë pasi kalojnë numrin e mjaftueshëm për parlament dhe mund të jenë pjesë e koalicionit të gjerë siç theksohet këtu në Gjermani”, thotë ai.
Në anën tjetër, ish-ambasadori kosovar në Gjermani flet për KosovaPress edhe për nevojën e krijimit të institucioneve të reja në Kosovë.
Ai thotë se Kosovës i duhet një qeveri stabile, e përbërë nga një koalicion gjithëpërfshirës.
“Ne si vend i vogël dhe duke parë dinamikën e zhvillimeve në Evropë dhe jashtë saj, Kosovës, patjetër që i duhet një qeveri stabile. Duhet një qeveri gjithëpërfshirëse me një shumicë parlamentare për shkak të vendimeve të rëndësishme që mund të vijnë. Po ashtu, për shkak të procesit të dialogut që mund të fillojë së shpejti dhe për shkak të vendimmarrjeve të shpejta që po ndodhin nga presidenti Trump në shumë çështje. Mund të jetë fokus edhe Kosova në muajt e ardhshëm…Besoj se nuk do të ishte mirë që të kemi një prolongim disa mujor për formimin e qeverisë. Mandatari dihet që ka mundësinë për të formuar qeverinë dhe besoj se edhe partitë e tjera opozitare do të jenë të gatshme, nëse bëhet ftesë për një koalicion të mundshëm”, përfundon ai.