Gjykata Themelore në Ferizaj dënoi me 19 vjet burgim të akuzuarin për vrasje

 Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit F.V., duke e dënuar me dënim unik prej 19 vjet burgim për vrasje e armëmbajtje pa leje. Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sahit Krasniqi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit…

Lajme

24/02/2025 14:59

 Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit F.V., duke e dënuar me dënim unik prej 19 vjet burgim për vrasje e armëmbajtje pa leje.

Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sahit Krasniqi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin F.V., e shpalli fajtor për “Vrasje të rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari F.V., për “Vrasje të rëndë” u dënua me 18 vjet burgim, kurse për “Armëmbajtje pa leje” u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 19 vjet burgim.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Konform nenin 366 paragrafi 5 dhe 6 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së, të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.