Patentë-shoferët kosovarë të barabartë me ata austriakë që nga 1 marsi 2025
Patentë shoferët e lëshuar në Kosovë tashmë njihen edhe në disa vende të Evropës, si në Gjermani, Itali e së fundi edhe në Austri. Në lidhje me këtë çështje nga Ambasada e Austrisë në Kosovë u tha se nga data 1 mars 2025, patentë shoferët e të gjitha kategorive në Kosovë do të jenë të…

Lajme
Patentë shoferët e lëshuar në Kosovë tashmë njihen edhe në disa vende të Evropës, si në Gjermani, Itali e së fundi edhe në Austri.
Në lidhje me këtë çështje nga Ambasada e Austrisë në Kosovë u tha se nga data 1 mars 2025, patentë shoferët e të gjitha kategorive në Kosovë do të jenë të barabarta me patentë-shoferët austriak.
“Patentë-shoferët kosovarë u njohën në Austri më 1 shtator 2023, me miratimin e marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Transportit në nenin 23 të Ligjit për Patentë Shoferët (FSG). Bazuar në këtë, mbajtësit e patentë-shoferëve kosovarë kanë të drejtën të drejtojnë automjetet përkohësisht në Austri. Nëse qëndrojnë mbi 6 muaj në Austri ose vendosin vendbanimin në Austri, duhet të konvertojnë patentë-shoferin kosovar. Megjithatë, patentë-shoferët kosovarë nuk ishin të barabartë me ata austriakë, ndaj konvertimi kërkonte një provim praktik të vozitjes”,thuhet në njoftim.
Gjithashtu nga kjo ambasadë u tha se me ndryshimin e rregullores përkatëse, që nga 1 marsi 2025, patentë-shoferët e Kosovës të të gjitha kategorive do të jenë të barabartë me patentë-shoferët austriakë. Kjo do të thotë se patentë-shoferët kosovarë, që nga ky moment, mund të konvertohen në Austri pa pasur nevojë për një provim praktik të vozitjes, nëse qëndrohet mbi 6 muaj në Austri ose vendoset qëndrimi i përhershëm në Austri.
“Austria plotëson një kërkesë të rëndësishme dhe konkrete të ekonomisë dhe të gjithë atyre që posedojnë një patentë-shoferë kosovar”./Lajmi.net/