“Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”, komandant Hoxha nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë Ismet Tara në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dëshmitari  i cili gjatë luftës kishte nofkën “Komandant Hoxha”, mban kodin W04745 dhe është i 123-ti në listën e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ai po…

Lajme

24/02/2025 10:37

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë Ismet Tara në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari  i cili gjatë luftës kishte nofkën “Komandant Hoxha”, mban kodin W04745 dhe është i 123-ti në listën e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ai po merret në pyetje nga Prokurorja Vega Iodice.

Pasi bëri betimin solemn, dëshmitari tha se dëshiron të shpreh shqetësimet e tij lidhur me parregullsitë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në pyetjen e parë të Prokurores sime unë dëshirojë ta shprehu shqetësimin tim lidhur…”, tha dëshmitari fjala e të cilit u ndërpre nga kryegjyqtari i cili tha se deklaratën mund ta bëjë pasi të përfundojë dëshmia e tij.

“Dua të shpreh shqetësimet e mija në bazë të asaj që kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë pastaj të flas”, tha ai.

Atij iu ndërpre mikrofoni nga kryegjyqtari duke i sqaruar që pasi të përfundojnë pyetjet dhe dëshmia e tij, atëherë ai mund t’i ngre shqetësimet e tij.

Ndërsa, në pyetjet e prokurores, Vega Iodice, ai tha është ish-ushtar i Jugosllavisë në Sarajevë.

“Kam qenë ish-ushtarë i Jugosllavisë në vitin 83-84 në Sarajevë”, tha ai.

Vlen të shtohet se një pjesë e dëshmisë së tij nuk është duke u dëgjuar për shkak se ai është duke folur para se të iu hapet mikrofoni.

Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth 3 ditë. Prokuroria ka parashikuar rrethe 6 orë ndërsa ekipet e mbrojtjes rreth 8 orë e gjysmë për kundërpyetjet e veta.

Në fillim të seancës u dha një urdhër sa i takon rregullës 153 pasi që ZPS-ja kishte kërkuar që ti vendoset një numër prove një materiali të dëshmitarit W04394 që u pranua si dokument.

Prokuroria ka thënë se për një gabim administrativ nuk iu është vendosur numri këtij dokumenti. Si rrjedhojë, këtij dokumenti iu vendos një numër prove materialit në fjalë e që është dëshmia e dëshmitarit.

Ndërsa për organizimin e një dokumenti të protokolluar, kryegjyqtari urdhëroi që të kalohet në seancë private.

Vlen të theksohet se katër të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit duke përshirë edhe Hashim Thaçin i cili në seancat e javës së kaluar nuk mori pjesë për arsye shëndetësore.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.