Qytetarët ndihen të mashtruar nga marketet për mosvendosjen e ekraneve nga ana e konsumatorëve

Qytetarët ankohen se po ndihen të mashtruar nga disa pronarë të marketeve, pasi që sipas tyre nuk mund t’i shohin artikujt e skanuar dhe çmimet e tyre tek arka, kjo për shkak se ekranet nuk janë të kthyer edhe nga ana e tyre gjatëblerjes së artikujve. Ata akuzojnë tregtarët me këtë lloj biznesi se kjo…

Lajme

23/02/2025 11:46

Qytetarët ankohen se po ndihen të mashtruar nga disa pronarë të marketeve, pasi që sipas tyre nuk mund t’i shohin artikujt e skanuar dhe çmimet e tyre tek arka, kjo për shkak se ekranet nuk janë të kthyer edhe nga ana e tyre gjatëblerjes së artikujve.

Ata akuzojnë tregtarët me këtë lloj biznesi se kjo po bëhet me qëllim të manipulimit të çmimeve.

Ndërsa, ekspertë të ekonomisë e vlerësojnë këtë si shqetësuese. Ndërkaq, nga shoqata për mbrojtje të konsumatorëve thonë se është veprim i gabuar dhe se duhet të shqiptohen gjoba e ndëshkime.

Ndërkaq, nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë(MINT) thonë se projektligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili është në fazën e fundit të shqyrtimit, në të cilin është adresuar edhe kjo çështje.

Qytetarja Synavere Llapaj thotë se gati për çdo ditë që frekuenton qendrat tregtare has në këtë parregullsi. Sipas saj, kjo duhet të ndryshojë.

“Pikërisht këto ditë e kam menduar këtë. Edhe unë mendova thashë pse nuk e kthejnë edhe nga ne me pa edhe ne çmimet sa kushtojnë. Por, i kanë të kthyer vetëm nga ata, meqenëse faturat po i marrim, porse duhet të kthejnë monitorin edhe nga ne me pa sa po paguajmë. Duhet të kthehet…A keni hasur ndonjëherë në parregullsi? Gati për ditë (kam hasur në parregullsi)”, thotë Llapaj.

Edhe Avdullah Mustafa thotë se manipulimi është i mundshëm për shkak të vendnisjes së gabuar të ekraneve.

“Duhet ta shohim. Më mirë është ta shohim…Kam tërhequr vërejtje edhe unë shumë here. Nuk duken çmimet atyre. Manipulimi është më i mundshëm, më i mirë. A ka ndodhur ndonjëherë ndonjë parregullsi? Po si nuk ka ndodhur. Sa herë të shkoj”, shprehet Mustafa.

Mos vendosja e ekranit të kompjuterëve nga ana e konsumatorit sipas ekspertit të ekonomisë, Adem Qorrolli, nga marketet e mëdha bëhet me qëllim të ikjes së çmimit raft-arkë.

“Disa markete ato të lagjes apo të minimales së fuqisë punëtore nuk kanë kosto për t’i mbuluar sepse nuk janë edhe shumë të lira për të ardhur në trend. Kurse, marketet e mëdha e bëjnë pak edhe me qëllim që t’i ikin pjesës së çmimit raft-arkë. Sepse dihet që kemi shumë raste kur gjejmë një përputhje mes arkës dhe pagesës duke i shfrytëzuar edhe te elementi zbritje, i cili është mashtrim çmimor, të cilën bizneset e mëdha dijnë ta përfitojnë dhe dijnë t’u krijojnë të ardhura”, thotë Qorrolli.

Qorrolli potencon se institucionet mbikëqyrëse duhet të bëjnë kontrolla nëpër qendra tregtare, ngase sipas tij “atë që e sheh shitësi, atë duhet të sheh edhe konsumatori”.

“Kjo mund të jetë më shumë shqetësim për institucionet mbikëqyrës e cila është kthesë e mirë nëse e bënë një kontrollë të tillë. Sepse më të vërtetë do të jep një element mbi mbrojtjen e konsumatorit dhe do të jetë një element mbi edukimin e korporatave apo bizneseve që operojnë në Republikën e Kosovës…Realisht ajo duhet të jetë e skanuar në të dyja anët. Atë që e sheh shitësi, atë duhet ta sheh edhe konsumatori…Nuk duhet të shkohet menjëherë me gjoba, por të riedukohen apo të shkojnë institucionet me kontrolla mbi vërejtje dhe sigurisht ato që kanë kapacitet”, thekson Qorrolli.

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se mosvendosja e ekranit përballë konsumatorit është veprim i gabuar. Sipas tij, meqë kjo po bëhet për disa vite me radhë dhe nuk po rregullohet pavarësisht ankesave, po bëhet me qëllime të manipulimit.

Kaçaniku thotë se bizneset që bëjnë këtë veprim duhet të gjobiten.

“Le që është veprim i gabuar, por është veprim që e shpreh biznesmenin, biznesin, ndërmarrësin si mospërfillës ndaj qytetarit – konsumator. Pra, është veprim indinjues që është rregulluar edhe me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Çdo biznes duhet ta ketë monitorin e kthyer nga konsumatori që ai ta shoh se çka ka paguar, çka ka blerë dhe çdo artikull sa i kushton. Meqë kjo nuk po bëhet vite me radhë, ne kemi reaguar disa herë. Po na lë mundësinë që të dyshojmë se kjo e ka qëllimin e manipulimit me çmime…A duhet të ketë gjoba? Natyrisht, nëse nuk ka mënyrë tjetër të vetëdijesimit, atëherë gjoba do të mbetet ajo që duhet. Dhe mbi gjobën natyrisht se edhe ndëshkime, dënime në gjyq”,thotë Kaçaniku.

Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, nga Ministria e Industria, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thonë se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) sapo të hyjë në fuqi projektligji i ri do të kërkojmë implementim lidhur me këtë çështje.

Ata potencojnë se IQMT-ja gjatë mbikëqyrjes inspektuese, në rastet kur konstaton shkelje ligjore, shqipton gjoba.

“Në kuadër të projektligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili është në fazën e fundit të shqyrtimit pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës është adresuar edhe çështja e vendosjes se ekraneve nga ana e konsumatorëve me qëllim t’i shohin çmimet e produkteve. Përkatësisht, në nenin 26 (Çmimi i shitjes dhe çmimi për njësi) paragrafi 14, theksohet si vijon “Gjatë faturimit në arke, në ekranin e kthyer nga konsumatori, duhet të shfaqet çmimi për secilin produkt që faturohet si dhe totali i përllogaritur. IQMT sapo të hyjë në fuqi ky projektligj do të kërkojë zbatim dhe implementim sa më efikas të ligjit. Po ashtu, ju njoftojmë se IQMT gjatë mbikëqyrjes inspektuese, në rastet kur konstaton shkelje ligjore, shqipton gjoba mandatorë dhe inicion lëndë për kundërvajtje në gjykatat kompetente ndaj të gjithë operatorëve ekonomik që janë gjetur në shkelje ligjore”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

Ndër të tjera, në përgjigjen e tyre thuhet se IQMT-ja në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka mision mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, mbrojtjen e konkurrencës së drejtë, luftimin e informalitetit dhe garantimin e sigurisë të të gjithë mallrave dhe shërbimeve që qarkullojnë në tregun e Kosovës.