Kamerat kineze në institucione: Ku janë zëvendësuar e ku jo?
Në Qeverinë e Kosovës dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, vitet e fundit janë hequr kamerat e kontestueshme të prodhimit kinez, të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa prej tyre janë zëvendësuar me kamera të tjera, gjithashtu të sanksionuara, por më të pranueshme në aspektin e sigurisë, ndërsa disa me kamera amerikano-kanadeze. Qeveria…

Lajme
Në Qeverinë e Kosovës dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, vitet e fundit janë hequr kamerat e kontestueshme të prodhimit kinez, të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Disa prej tyre janë zëvendësuar me kamera të tjera, gjithashtu të sanksionuara, por më të pranueshme në aspektin e sigurisë, ndërsa disa me kamera amerikano-kanadeze.
Qeveria e Kosovës ka larguar nga objekti i saj shumicën e kamerave të sigurisë të firmës Dahua, një kompani kineze e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në ndërtesën e Qeverisë deri më tani janë zëvendësuar shumica dërrmuese e kamerave të sigurisë, ku përfshihen pikat më kritike të sigurisë të ndërtesës”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Radio Evropa e Lirë kishte raportuar në lidhje me prezencën e këtyre kamerave në objektin qeveritar në fillim të vitit 2022. Në atë kohë, Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje kishte thënë se do t’i analizojë kontratat nga aspekti i sigurisë, meqë kamerat ishin blerë më herët nga qeverisje të kaluara.
Sipas Kryeziut, zëvendësimi i kamerave nisi në fund të vitit 2022.
“Në proces të zëvendësimit është edhe pjesa tjetër e mbetur (e kamerave). Po punojmë që kjo të bëhet sa më parë”, tha tutje ai.
Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të SHBA-së qysh nga viti 2019, për shkak të, siç thuhet, ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që u bën Pekini ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.
Përveç sanksioneve tregtare, këto dhe disa kompani të tjera kineze që prodhojnë kamera të sigurisë, konsiderohen me rrezik për përdorim nga institucionet në SHBA.
Përkatësisht ato konsiderohen që nuk janë në përputhje me Aktin Autorizues të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) të SHBA-së, i cili përcakton nëse pajisje të caktuara konsiderohen të rrezikshme për sigurinë kombëtare amerikane.
Sipas asaj që REL-i ka parë nga terreni, kamerat e reja të vendosura në objektin e Qeverisë janë të firmës po ashtu kineze, Uniview.
Kjo kompani, gjithashtu u përfshi në listën e sanksioneve të SHBA-së në dhjetor të vitit 2024. Megjithatë, deri më tani, kjo kompani dhe produktet e saj nuk llogariten të jenë të ndaluara në bazë të rregullativës NDAA.
*Video nga arkivi: Kamera të kompanive kineze të sanksionuara nga SHBA-ja të vendosura në ndërtesa të ndryshme në Prishtinë – nga Qeveria e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit e deri te sheshet e kryeqytetit.
Së fundmi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri blerjen e mbi 2 mijë kamerave të sigurisë, të parapara të mbikëqyrin procesin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.
KQZ-ja, po ashtu, u furnizua me kamera të kompanisë Uniview.
Në dosjen e tenderit, KQZ-ja e kishte futur në listën e kritereve edhe atë që kamerat të jenë në përputhje me NDAA-në e SHBA-së.
Deri më tani, ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it se në çfarë legjislacioni apo rregullore të brendshme është e bazuar kjo kërkesë, si dhe cilat janë shqetësimet e sigurisë për produktet që janë të ndaluara me NDAA.
Sanksionet ndaj kompanive kineze të teknologjisë nisën nën mandatin e parë të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe vazhduan edhe në administratën që pasoi, të Joe Bidenit.
Uashingtoni i ka shënjestruar në veçanti kompanitë kineze të prodhimit të kamerave për shkak të “rolit të tyre në ofrimin e teknologjisë vëzhguese ndaj Partisë Kineze Komuniste”, duke e ndihmuar atë në përndjekjen e minoriteteve myslimane në Kinë si ujgurët.
Reid Standish, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Pragë, i cili fokusohet në çështjet globale që lidhen me Kinën, thotë se sipas vendimeve të SHBA-së, këto kompani dyshohet se kanë projektuar pajisje dhe softuerë të veçantë për vëzhgim të këtyre minoriteteve.
“HikVision, për shembull, u kap duke projektuar softuer për njohjen e fytyrës që mund të identifikojë në mënyrë specifike fytyrat ‘ujgure’”, shpjegon Standish.
Më 2022, REL-i kishte raportuar se kamera të firmave Dahua dhe HikVision po përdoreshin si teknologji vëzhguese edhe në disa institucione të tjera shtetërore.
Objekte të vëzhguara nga këto kamera përfshinin Prokurorinë Speciale, Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Tregtisë.
Kamera të firmës HikVision ende vazhdojnë të jenë prezent në të tri këto objekte derisa këto institucione deri më tani nuk u janë përgjigjur kërkesave të REL-it për koment në lidhje me këtë çështje.
Kamera të HikVision, më parë vëzhgonin edhe sheshet kryesore të Prishtinës, ndërsa tani ato janë zëvendësuar me kamera të firmës Avigilon në kuadër të Motorola Solutions.
Produktet e kësaj kompanie prodhohen në Kanada dhe SHBA.
Komuna e Prishtinës nuk ka treguar kohën dhe arsyen e zëvendësimit të kamerave.
Në vitin 2022, nga Komuna i kishin thënë REL-it se kontrata e mëparshme me të cilën ishin blerë kamerat HikVision, ishte trashëguar nga udhëheqësia paraprake e komunës dhe ishte nënshkruar rreth vitit 2020.
Sa është e sigurt teknologjia kineze e vëzhgimit?
Reid Standish thotë se disa çështje teknike që janë zbuluar te disa prodhues kinezë shpesh janë përmendur si arsye për të mos i përdorur ato në ambiente të ndjeshme.
Sipas tij, shqetësimet me sigurinë e kësaj teknologjie lidhen me faktin se “sistemet e mbikëqyrjes mbështeten në një farë mase në pajisjet dhe softuerët e prodhuesit të kamerave”.
“Kjo çon në dy shqetësime kryesore. E para është se sistemet ‘cloud’ të përdorura nga disa marka kineze janë treguar të jenë më të cenueshme se të tjerat. E dyta është se të dhënat në Kinë u nënshtrohen ligjeve kineze, të cilat, sipas këtyre ligjeve, i lejojnë Partisë Komuniste Kineze të ketë qasje dhe të përdorë të dhënat si të dojë për arsye të sigurisë kombëtare”, thotë Standish.
“Nuk ka ende prova që kjo të ketë ndodhur, por ajo përmendet në mënyrë rutinore si një shqetësim”, shton ai.
Edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi në Kosovë i ka thënë REL-it se institucionet kanë obligime për sigurinë e të dhënave personale që përpunohen përmes kamerave të vëzhgimit.
“Institucionet duhet të sigurohen që pajisjet të jenë të sigurta dhe të shmangin përdorimin e produkteve që mund të krijojnë rreziqe për sigurinë e të dhënave personale”, kanë thënë nga Agjencia.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për kamerat e sigurisë, kjo agjenci nuk ka komentuar në lidhje me firmat specifike apo rregullativat e sigurisë së SHBA-së dhe mënyrën si aplikohen ato në Kosovë.
Kompanitë kineze janë furnizuesit kryesorë të teknologjisë së mbikëqyrjes në botë. Kjo pasi kamerat e tyre janë të lira, të lehta për t’u përdorur dhe për t’u instaluar, si dhe ofrojnë performancë të lartë.
Kompanitë si Hikvision dhe Dahua janë pjesërisht në pronësi të shtetit kinez, ndërsa Uniview është një kompani private, por ka marrë pjesë në kontrata të qeverisë kineze për të mbikëqyrur pakicat në Shinxhiang.
Deri më tani, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë vendosur në listë të zezë disa kompani kineze të teknologjisë.
Megjithatë, shumica e vendeve evropiane nuk kanë vendosur ndalime të tilla, por kanë zgjedhur të heqin kamerat kineze nga përdorimi në institucione qeveritare apo ushtarake.