AVONET: Për tetë vite, Komuna e Ferizajt lëshoi leje ndërtimore në kundërshtim me ligjet e aplikueshme
AVONET ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, me nr. AA.nr.815/2023, me të cilin vendim gjyqësor refuzohet si e pa bazuar ankesa e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndaj aktgjykimit AA.nr.2093/2019, të nxjerrur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të datës 12.09.2023. Me aktgjykimin e nxjerrur nga Gjykata Themelore në…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2025/02/f-6-600x360-1.jpg)
Lajme
AVONET ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, me nr. AA.nr.815/2023, me të cilin vendim gjyqësor refuzohet si e pa bazuar ankesa e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndaj aktgjykimit AA.nr.2093/2019, të nxjerrur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të datës 12.09.2023.
Me aktgjykimin e nxjerrur nga Gjykata Themelore në Prishtinë të datës 12.09.2023, kjo gjykatë aprovoi kërkesëpadinë e paditësit Imri Haliti, me të cilin u anulua vendimi i datës 04.09.2017 për Dhënien e Pëlqimit për Miratimin e PZHK-së 2017-2025 të Komunës së Ferizajt. Në këtë drejtim, ky vendim përmes mjetit të rregullt juridik u atakua nga MMPHI-ja si palë paditëse në këtë konflikt administrativ, pranë Gjykatës së Apelit, ku me datë 23.01.2025 kjo gjykatë mori vendim për refuzimin e ankesës së MMPHI-së.
Ky vendim i Gjykatës së Apelit shënon një fitore të madhe të aktivizmit qytetarë të disa qytetarëve të Komunës së Ferizajt, të cilët për 7 vite radhazi kanë luftuar për të u zbardhur e vërteta në lidhje me këtë rast. Ky vendim vulos paligjshmërinë e Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt 2017-2025, për faktin se i gjithë procesi administrativ që zhvilloi Komuna e Ferizajt ishte zhvilluar pa mbajtur shqyrtimin publik, i cili është kërkesë e dispozitave ligjore të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe dispozitave ligjore të Udhëzimit Administrativ mbi elementet dhe kërkesat themelore për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e PZHK-së.
Gjykata gjeti se Komuna e Ferizajt nuk kishte zbatuar normën e nenit 20 të Ligjit për Planifikim Hapësinor, për faktin se para se të finalizohej PZHK-ja, Komuna e Ferizajt do duhej që përmes njoftimit publik, të ftonte qytetarët e interesuar për konsultime dhe shqyrtime publike, si dhe të pranonte peticione. Gjithashtu, gjykata konstatoi edhe disa shkelje të tjera ligjor të cilat janë të evidentuara në vendimet gjyqësore të dy shkallëve të gjyqësorit.
AVONET vlerëson se si rezultat i mos veprimit disa vjeçar të Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, qyteti i Ferizajt është degraduar jashtëzakonisht shumë në aspektin urban, ku lejet ndërtimore në këtë qytet janë lëshuar duke u mbështetur në PZHK, pra në një dokument që ka derivuar nga zhvillimi i një procedure administrative haptazi të kundërligjshme dhe arbitrare. Tashmë lirisht mund të themi se në MMPHI në lidhje me këtë çështje ka ekzistuar një grup i organizuar, ku veprimet e tyre kundërligjore kanë shkaktuar pasoja të pariparueshme për qytetin e Ferizajt.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe vlen të ceket se Planet Rregullative Urbane të qytetit të Ferizajt kanë qenë në fuqi dhe vazhdojnë të mbesin në fuqi, mirëpo as këto plane hapësinore (PRRU) Komuna e Ferizajt nuk i ka respektuar.
Qytetarët e Ferizajt por edhe AVONET në vazhdimësi e kanë informuar Komunën e Ferizajt dhe MMPHI-në për këto shkelje ligjore, por ato kanë kundërshtuar të njejtat, ku tash pas vendmit të plotëfuqishëm të Gjykatës së Apelit shihet qartë se këto shkelje me të vërtetë kanë ekzistuar dhe se këto shkelje kanë shkaktuar dëme të pariparueshme për banorët e Ferizajt.
AVONET ka informacione që tashmë ish drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Ferizajt, po përballet me një proces penal, në lidhje me keqpërdorim të detyrës dhe autoritet zyrtar, që ndërlidhet kryekëput me procesin e miratimit të kundërligjshëm të PZHK-së.
AVONET i siguron qytetarët se do punoj në mënyrë të vazhdueshme për të i mbajtur penalisht përgjegjës para organeve të ndjekjes penale të gjithë personat përgjegjës për shkeljet tashmë të konfirmuara ligjore, qofshin ata zyrtarë përgjegjës të MMPHI-së apo Komunës së Ferizajt.