ZRRE thotë se s’ka rritje të çmimit të rrymës: Çdo informacion lidhur me rritjen e tarifave në këtë moment është i pavërtetë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar në lidhje me raportimet që janë bërë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 35 për qind. ZRRE ka njoftuar se ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, në përputhje me kërkesat ligjore, për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale. “Këto aplikacione janë aktualisht…
Lajme
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar në lidhje me raportimet që janë bërë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 35 për qind.
ZRRE ka njoftuar se ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, në përputhje me kërkesat ligjore, për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale.
“Këto aplikacione janë aktualisht në proces të vlerësimit nga ZRRE, dhe pas përfundimit të këtij procesi, ZRRE do të publikojë raportin konsultativ, i cili do të ndahet me publikun për shqyrtim dhe komente”, thuhet në përgjigjen e ZRRE për lajmi.net.
Gjithashtu ZRRE u bëri thirrje qytetarëve që çdo informacion në lidhje me rritjen e tarifave të rrymës në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimn e opinionit publik.
“Dëshirojmë të sqarojmë për opinionin publik se çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat aktuale të pranuara nga operatorët e licencuar dhe nuk pasqyrojnë procesin në vazhdim të vlerësimit nga ZRRE”, shtohet tutje.
Gjithashtu ZRRE fton të gjitha palët e interesuara dhe qytetarët që për çdo pyetje, shqetësim ose informacion lidhur me këtë proces, të kontaktojnë drejtpërdrejt me ZRRE për të marrë informacionin e saktë dhe të bazuar në procedurat ligjore dhe rregullative të përcaktuara.
“Angazhimi ynë është të sigurojmë një proces transparent dhe të drejtë, që i shërben interesave të qytetarëve dhe zhvillimit të sektorit të energjisë në përgjithësi”.
Ndryshe në media mbrëmë është raportuar se kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që t’ua lejojë rritjen e të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2025 me rreth 145 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.
Sipas raportimeve, nga rreth 400 milionë euro sa kanë qenë të hyrat maksimale të lejuara për vitin 2024, në vitin 2025 të hyrat maksimale janë kërkuar të jenë rreth 545 milionë euro. Pra, në total është kërkuar rritja e të hyrave për rreth 35%, një rritje që nëse miratohet atëherë do të përkthehet në shtrenjtim të energjisë elektrike. /Lajmi.net/