Radoniqi: Nuk ka ende asgjë zyrtare rreth votave të diasporës në Zagreb

Kreshnik Radoniqi, kryesues i KQZ-së ka thënë se si KQZ nuk kanë informata zyrtare se çfarë ka ndodhur me një pjesë të votave të diasporës në Zagreb, raporton Ekonomia Online. Kjo deklaratë e tij, në mbledhjen e KQZ-së vjen pas raportimeve se ambasadori Martin Berishaj, ka marrë votat nga kutitë postare në Zagreb, dhe i…

Lajme

07/02/2025 13:38

Kreshnik Radoniqi, kryesues i KQZ-së ka thënë se si KQZ nuk kanë informata zyrtare se çfarë ka ndodhur me një pjesë të votave të diasporës në Zagreb, raporton Ekonomia Online.

Kjo deklaratë e tij, në mbledhjen e KQZ-së vjen pas raportimeve se ambasadori Martin Berishaj, ka marrë votat nga kutitë postare në Zagreb, dhe i ka dërguar në ambasadë.

“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, zyrtarisht nuk e dimë çka ka ndodhur kjo mbetet që të vërtetohet. Stafi i secilës ambasadë është emëruar që të jetë pjesë e tërheqjes së këtyre, por se si ka shkuar aty procedura nuk e di”, ka thënë ai i pyetur nga mediat në mbledhjen e mbajtur të premten.

Në lidhje me këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë nisur hetime për këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”, thuhet në njoftim.

“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligj zbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor”, thuhet më tutje.