Zbulohet në Shqipëri, liqeni termal nëntoksor më i madh në botë

Një ekip shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në Shqipërinë e Jugut liqenin termal nëntokësor më të madh në botë dhe e kanë quajtur Liqeni Neuron, sipas fondacionit që financoi ekspeditën, thuhet në një artikull të botuar në “Czech Radio”. Brenda luginave të zonave kufitare malore midis Greqisë dhe Shqipërisë, shkencëtarët çekë kanë eksploruar prej disa vitesh…

Lajme

07/02/2025 11:28

Një ekip shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në Shqipërinë e Jugut liqenin termal nëntokësor më të madh në botë dhe e kanë quajtur Liqeni Neuron, sipas fondacionit që financoi ekspeditën, thuhet në një artikull të botuar në “Czech Radio”.

Brenda luginave të zonave kufitare malore midis Greqisë dhe Shqipërisë, shkencëtarët çekë kanë eksploruar prej disa vitesh kushtet komplekse të nëndheshme.

Në rajonin e Vromonerit, në anën shqiptare të kufirit, ata hasën një sistem të gjerë shpellash në vitin 2021, të cilat që atëherë i kanë hartuar në detaje.

Sistemi përmban shumë burime të nxehta që lëshojnë kolona të larta avulli dhe gjurmimi i burimit të avullit i çoi ata drejt zbulimit të një humnere mbi 100 metra të thellë, të cilën e quajtën Atmos.

Në fund të asaj humnerë, ekipi ka konfirmuar zbulimin e liqenit termal nëntokësor më të madh në botë deri më sot.

Me një gjatësi prej 138 metrash, një gjerësi prej 42 metrash dhe një perimetër 345 metrash, mund të mbajë 8,335 m3 ujë të nxehtë.

Madhësia e dhomës së liqenit është tre herë më e madhe se salla kryesore e Teatrit Kombëtar në Pragë.

Harta e sistemit të shpellës dhe zbulimi i liqenit kërkuan pajisje teknike, të cilat u mundësuan nga “Fondacioni Neuron”.

Organizata çeke e financimit shkencor i dha ekspeditës gati 1 milion koruna çeke, të dhuruara nga dashamirës privatë dhe tani liqeni nëntokësor shqiptar ka marrë emrin Neuron, në nder të fondacionit.

Richard Bouda, një fotograf dhe speleolog, përshkruan se si u bë zbulimi: “Gjatë eksplorimit fillestar, ne krijuam një hartë bazë duke përdorur pajisjet që kishim. Ne e dinim që atëherë se kishim zbuluar diçka vërtet të veçantë”.

“Falë “Fondacionit Neuron”, kemi blerë një skaner celular LIDAR, i cili na lejoi të masnim të gjithë shpellën dhe të gjithë zonën e liqenit. Ne do të bashkëpunojmë edhe me hidrologët të cilët do të masin pjesën nënujore të atij liqeni duke përdorur një sonar – një sistem për zbulimin e objekteve nënujore”, tha ai.

Ekipi çek përdori teknologjinë më të fundit, “GeoSlam” – një lloj teknologjie skanimi 3D, duke krijuar modele të sakta të shpellës.

Procesi me të cilin është bërë shpella që përmban liqenin është gjithashtu e pazakontë.

Uji mineral i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin, oksidohet dhe prodhon acid sulfurik – që në mënyrë të përsëritur e kthen shkëmbin gëlqeror në gips të butë.

“Puna e ekipit çek në Shqipëri do të kontribuojë për të kuptuar më mirë këtë lloj të rrallë të formimit të shpellave dhe ka shumë punë për të bërë atje”, tha Richard Bouda:

“Falë shkencëtarëve me të cilët punojmë, ne e dimë se burimet përreth ushqehen me ujë nga liqeni”, shtoi ai.

“Ne besojmë se ky zbulim mund të kontribuojë gjithashtu në mbrojtjen e të gjithë zonës dhe për të kuptuar më mirë hidrologjinë e saj – pasi deri më sot askush nuk e di se si janë të lidhura saktësisht këto ujëra nëntokësore me sipërfaqen”, tha ai.