Mijëra njerëz tashmë të papunë, USAID dhe UNICEF në Kosovë konfirmojnë se iu ndalën fondet: Shpresojmë që financimi të rifillojë

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar se nga data 7 shkurt, ditë e premte do të pezullohen nga puna të gjithë punonjësit me kontratë të USAID në mbarë botën. E këta punëtorë, kapin shifrën prej afro 10 mijë punonjësve, ndërsa rreth dy e treta e stafit shërben jashtë vendit, sipas Shërbimit Kërkimor të…

Lajme

06/02/2025 14:54

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar se nga data 7 shkurt, ditë e premte do të pezullohen nga puna të gjithë punonjësit me kontratë të USAID në mbarë botën.

E këta punëtorë, kapin shifrën prej afro 10 mijë punonjësve, ndërsa rreth dy e treta e stafit shërben jashtë vendit, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit (CRS) pasi që agjencia ka më shumë se 60 misione kombëtare dhe rajonale.

I dërguari i SHBA-së për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka njoftuar për vlerën e fondeve të USAID që kanë përfituar shtetet e Ballkanit.

Gjatë periudhës 2020- 2024, sipas shifrave të publikuara nga Grenell, OJF- të në Shqipëri kanë marrë 189 milionë dollarë për 4 vite. Në total për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor USAID ka dhënë 1.7 miliardë dollarë, ndërsa në vendin e parë renditet Kosova me 537 milionë euro.

Në një postim në platformën X, i dërguari i Trump shkruan se ‘amerikanët e palodhur paguajnë taksa, ndërsa politikanët në Uashington i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur’. Sipas tij, miliarda dollarë iu janë dhënë organizatave joqeveritare të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në ato vende.

“Të premten, më 7 shkurt, të gjithë punonjësit me kontratë të USAID-it do të pezullohen në gjithë botën”, thuhet në një njoftim në uebsajtin e USAID-it, i cili ka qenë jashtë funksionit prej fundjavës së kaluar.

USAID ashtu si në gjithë botën, është i pranishëm edhe në Kosovë që nga viti 1999 dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Që nga paslufta kur edhe ka filluar veprimtarinë e tij në Kosovë, USAID ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Ky vendim i administratës së Trump, ka ndikuar edhe tek këta punëtorë në Kosovë të cilët do të mbesin pa punë dhe nuk do të mund ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

USAID në uebfaqen e tyre kanë njoftuar se personeli thelbësor që pritet të vazhdojë punën do të informohet nga udhëheqja e Agjencisë deri të enjten, 6 shkurt, në orën 15:00.

“Për personelin e USAID-it të postuar aktualisht jashtë Shteteve të Bashkuara, Agjencia, në koordinim me misionet dhe Departamentin e Shtetit, po përgatit aktualisht një plan, në përputhje me të gjitha kërkesat dhe ligjet në fuqi, sipas të cilit Agjencia do të rregullonte dhe paguante për udhëtimin e kthimit në Shtetet e Bashkuara brenda 30 ditëve dhe do të parashikonte përfundimin e kontratave të PSC dhe ISC që nuk janë përcaktuar të jenë thelbësore. Agjencia do të marrë në konsideratë përjashtimet rast pas rasti dhe zgjatjet e udhëtimit të kthimit bazuar në vështirësitë personale ose familjare, shqetësimet e lëvizshmërisë ose sigurisë, ose arsye të tjera. Për shembull, Agjencia do të marrë parasysh përjashtimet bazuar në kohën e përfundimit të shkollës së personave në ngarkim, nevojat mjekësore personale ose familjare, shtatzëninë dhe arsye të tjera. Do të ketë udhëzime të mëtejshme se si të kërkoni një përjashtim”, thuhet në njoftimin e USAID për të gjithë ata që klikojnë në uebfaqen e tyre.

Përveç USAID, organizata tjetër ndërkombëtare e cila vepron në Kosovë e ka mbetur pa fonde nga SHBA-të është edhe UNICEF.

UNICEF përmes një përgjigje për lajmi.net kanë thënë se ata aktualisht nuk marrin ndonjë grant nga Qeveria e SHBA-së por që shpresojnë se financimi do të rifilloj së shpejti.

Nga UNICEF deklaruan se SHBA-të ishin donator i rëndësishëm dhe bujar gjatë gjithë historisë së tyre, ndihma e të cilëve ka ndihmuar të shpëtohen mijëra jetë dhe të ndihmohen fëmijët.

“Ju njoftojmë qe Programi i UNICEF-it në Kosovë aktualisht nuk merr ndonjë grant nga Qeveria e SHBA-së. Ne jemi duke vlerësuar ndikimin e plotë të këtij vendimi në programet tona për fëmijë. Nuk mund të flasim menjëherë se cilat do të jenë efektet në këtë pikë derisa të dimë se çfarë do të thotë në të vërtetë për UNICEF-in. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një donator i rëndësishëm dhe bujar gjatë gjithë historisë sonë, ndihma e tyre na ka mundësuar të shpëtojmë miliona jetë dhe të ndihmojmë fëmijët në të gjithë botën të përmbushin potencialin e tyre. Ne mbetemi të vendosur për të ofruar mbështetjen tonë për fëmijët, edhe kur punojmë me implikimet e vendimit. Shpresojmë që financimi të rifillojë sa më shpejt”, thuhet në përgjigjen e UNICEF për lajmi.net. 

Qindra programe të USAID-it, që ofrojnë ndihmë jetike në mbarë botën, u ndalën pasi Trumpi, më 20 janar, ku presidenti amerikan urdhëroi ngrirjen e shumicës së ndihmës amerikane duke thënë se ai dëshiron të sigurohet që ajo të jetë në përputhje me politikën e tij të jashtme.

Madje Trump shkoi edhe më tej ku ngarkoi miliarderin Elon Musk, i cili pretendoi se USAID-i është organizatë “kriminale”, me detyrën për ta tkurrur agjencinë.

Në vitin fiskal 2023, Shtetet e Bashkuara i ndanë 72 miliardë dollarë ndihmë në mbarë botën për shumëçka, nga shëndeti i grave në zonat e konfliktit, te qasja në ujë të pastër, trajtimet për HIV/AIDS, siguria energjetike dhe puna kundër korrupsionit.

Financimi, më pak se 1% e buxhetit total të Shteteve të Bashkuara, është thelbësor për përpjekjet e Uashingtonit për të ndërtuar aleanca në mbarë botën, për të forcuar diplomacinë e tij dhe për të kundërshtuar ndikimin e kundërshtarëve si Kina dhe Rusia në vendet në zhvillim. /Lajmi.net/