Milazim Krasniqi: Raporti i Kurtit me Amerikën ka qenë i keq në mënyrë konstante, votuesit duhet t’i lexojnë drejtë sinjalet e Grenell

Emisari amerikan, Richard Grenell njihet si një prej zyrtarëve amerikan që vazhdimisht është marrë me zhvillimet në Kosovë dhe në Serbi. Grenell, i cili tashëm është zyrtarizuar në postin e tij të ri si Emisari i SHBA-ve për Misione të Posaçme ka filluar që të deklarohet në lidhje me situatën politike në Kosovë e posaçërisht…

Lajme

05/02/2025 16:22

Emisari amerikan, Richard Grenell njihet si një prej zyrtarëve amerikan që vazhdimisht është marrë me zhvillimet në Kosovë dhe në Serbi.

Grenell, i cili tashëm është zyrtarizuar në postin e tij të ri si Emisari i SHBA-ve për Misione të Posaçme ka filluar që të deklarohet në lidhje me situatën politike në Kosovë e posaçërisht në lidhje me kanididimin e Albin Kurtit si kryeministër.

Si fillim Grenell reagoi në lidhje me një deklaratë të dhënë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në lidhje me dy ish administratat amerikane, atë të Biden dhe Obama-s.

Ky i fundit kritikoi administratat e shkuara amerikane si ajo e Biden dhe Obama duke thënë se e lanë Kosovën në një pozitë të pafavorshme ndaj Serbisë, transmeton lajmi.net.

E pas kësaj, i menjëhershëm ishte reagimi i Grenell duke iu drejtuar kryeparlamentarit të Kosovës se kritikat duhet të bëhen në kohë dhe se ishte pikërisht ai dhe bashkëpartiakët e tij që e vlerësonin presidentin Biden sa ishte në detyrë.

“Këta shpenzuan katër vite duke komplimentuar Joe Biden-in dhe duke marrë pjesë në konventa dhe festa të tyre. Pse nuk u ankuan më parë?”, ka shkruar Grenell në një reagim në “X”.

Grenell nuk i ndali me kaq kritikat e tij, ai pati kritika edhe ndaj kryeministrit, Albin Kurti duke shkruar se Kurti zgjodhi politikë me veprime të njëanshme.

“Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën vuajtën gjatë presidencës së Joe Biden. Departamenti i Shtetit i Biden dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme. Ai solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët. Ai u dënua nga udhëheqësit evropianë, NATO dhe ekipi i Joe Biden”, kishte shkruar Grenell.

Richard Grenell, që së fundi mori zyrtarisht detyrën e Emisarit për Misione të Posaçme nga presidenti Trump reagoi pak para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke thënë se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.

“Kam shumë miq në Kosovë dhe në Shqipëri dhe shumë miq në Serbi deh në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por, ne kemi nevojë për partner të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe për BE-në dhe NATO-n. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe në Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në, më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, thotë Richard Grenell.

E pikërisht për këto reagime dhe deklarata të njëpasnjëshme, lajmi.net ka kontaktuar me profesorin universitar, Milazim Krasniqi.

Milazim Krasniqi beson se marrëdhëniet e Kurtit me Amerikën prej kohësh nuk kanë qenë të mira duke përmendur edhe kritikat e Escobar gjatë presidencës, Biden.

Krasniqi thotë se qytetarët duhet të lexojnë në mënyrë të drejtë sinjalet amerikane në mënyrë që Kosova të ketë një qeveri që ka raporte të mira me SHBA-të.

“Kritikat e Grenellit nuk janë të reja. Edhe në Administratën e Biden ka pasur kritika ndaj Kurtit qoftë nga Escobar apo Hovenier. Raporti i Kurtit me qeveritë amerikane ka qenë jo i mirë në mënyrë konstante, kjo tashmë ka eskaluar pasi Kurti në fushatë është munduar ta ‘paketoj’ gënjeshtrën se i ka raportet e mira me Administratën Trump. Pra mendoj që nuk ka qenë ndërhyrje në zgjedhje, por reagim ndaj manipulimit në procesin elektoral. Kjo paraqet për mua një situatë shqetësuese, sepse është fjala për SHBA-të, superfuqinë botërore dhe sponzorin kryesor të Republikës së Kosovës. Andaj mendoj që çdo qytetar duhet ta ketë parasysh se Trump sapo e ka marrur mandatin dhe në 4 vitet e ardhshme do jetë ai që do të bëjë ligjin në raportet ndërkombëtare, kështu që nëse kemi një qeveri që ka raporte armiqësore me Amerikën do mund të ketë pasoja të rënda për stabilitetin dhe ekzistencën e shtetit të Kosovës. Është keq që ky raport ka ardhur deri këtu, por ky është realiteti dhe qytetarët duhet ta vlerësojnë realitetin dhe të mos shohin ëndrra”,deklaroi Krasniqi.

Po ashtu profesori Krasniqi tha se Kosova është një produkt i aleancës ndërkombëtare të udhëhequr nga Amerika, Kosova është ende në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, sepse KFOR-i mandatin ekskluzivisht e ka nga rezoluta 1244 dhe prezenca e KFOR-it është kusht i pashmangshëm për paqen dhe stabilitetin në vend.

“Andaj deklarata është shqetësuese, qytetarët do duhet ta lexojnë drejtë dhe të mos votojnë me inat kundër Amerikës”, tha ai.

Kujtojmë se Grenell mori dje zyrtarisht pozitën e tij si i dërguar special i SHBA-ve për Misione të Posaçme, post ky në të cilin në përgjegjësitë e tij pritet të përfshihet edhe dialogu, Kosovë-Serbi./

9 shkurti për kosovarët do të jetë vendimtar se kë do zgjedhin që të udhëheq me institucionet kryesore në vend. Në situatën ku është Kosova tani me Amerikën ka shumë pikëpyetje nëse një qeverisje e njëjtë do arrij t’i përafroj ato me administratën Trump, apo një qeverisje e re do arrij të thur marrëdhënie më të mira që në fillim./Lajmi.net/