Hamiti: Një tjetër qeveri e Kurtit do ta rrezikonte Kosovën, reputacioni ndërkombëtar i Kosovës më i keqi ndonjëherë

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti ka thënë se Kosova nuk mori asnjë njohje, anëtarësim relevant ndërkombëtar gjatë Qeverisë Kurti. Hamiti i hodhi fajin qeverisë së fundit duke thënë se Kosova po i vuan sanksionet e BE-së prej vitit 2023, duke bërë që vendi të humbë mbi gjysmë miliardi euro deri tani. “Reputacioni ndërkombëtar…

Lajme

04/02/2025 14:35

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti ka thënë se Kosova nuk mori asnjë njohje, anëtarësim relevant ndërkombëtar gjatë Qeverisë Kurti.

Hamiti i hodhi fajin qeverisë së fundit duke thënë se Kosova po i vuan sanksionet e BE-së prej vitit 2023, duke bërë që vendi të humbë mbi gjysmë miliardi euro deri tani.

“Reputacioni ndërkombëtar i Kosovës, si vend i sanksionuar ndërkombëtarisht, më i keqi ndonjëherë. Jemi më larg integrimeve euro-atlantike sesa që kemi qenë para 4 vitesh”.

“Marrëdhëniet e kësaj Qeverie me të dyja administratat amerikane, demokrate dhe republikane, në pikën më të ulët që i ka pasur Kosova ndonjëherë me SHBA-të, aleatin jetik të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, Departamenti amerikan fliste vjet për ‘korrupsion të rëndë qeveritar’ në Kosovë”, tha Hamiti.

Tutje, Hamiti thotë se korrupsioni që po del në pah, po e nxjerr fytyrën e vërtëtë të Qeverisë Kurti.

“Qeveria e majtë e Albin Kurtit i ka sjellë dëme të pamatshme Kosovës në këto katër vjet. Kosova s’mund ta përballojë një qeveri të tillë më. Do ta rrezikonte shtetin e Kosovës”.

“Qytetarët tanë e kanë në dorë fatin e vet dhe të shtetit të vet. Të dielën mund të zgjedhin një Qeveri të djathtë, të drejtuar nga LDK-ja, për ta kthyer vendin në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit euro-atlantik”, tha ai.