Nuk iu rritën pagat sikurse në sektorin publik, nga sektori privat paralajmërohet grevë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
Pagat e sektorit publik në Republikën e Kosovës u ekzekutuan me rritje pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës. Muajin janar të gjithë shërbyesit civil të angazhuar në institucione publike morën pagën me rritje prej 55 eurove, kurse pas muajit qershor pritet edhe rritja tjetër me shumën e njëjtë 55 euro, transmeton lajmi.net. Për…
Lajme
Pagat e sektorit publik në Republikën e Kosovës u ekzekutuan me rritje pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës.
Muajin janar të gjithë shërbyesit civil të angazhuar në institucione publike morën pagën me rritje prej 55 eurove, kurse pas muajit qershor pritet edhe rritja tjetër me shumën e njëjtë 55 euro, transmeton lajmi.net.
Për fatin e tyre të keq në këtë rritje të pagave nuk u përfshinë punëtorët e sektorit privat.
Pavarësisht sfidave të shumta, shpesh herë pagave tejet të ulëta – të njëjtit mbetën edhe këtë herë pa kurrfarë mbështetje e konkretizimi sa i përket mundësisë së rritjes së pagave.
Në vendimin për rritjen e pagave në sektorin publik as nuk u përmend dhe as nuk u përfshi mundësia që t’u rritet paga edhe atyre nga sektori privat që angazhohen për mirëmbajtjen e institucioneve publike.
E pakënaqësi të shumta pati pikërisht pas marrjes së vendimit nga Qeveria e Kosovës, saktësisht nga Ministria e Financave. Në lidhje me situatën e krijuar, Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi për lajmi.net ka thënë se kjo sindikatë do të mbajë sot mbledhje për të paraqitur këtë kërkesë të tyre.
Azemi tha se këta punëtorë po diskriminohen në vendet e tyre të punës, pasi pagat e tyre nuk rriten paralelisht me punëtorët e sektorit publik që e kryejnë të njëjtën punë.
“Sot do të mbajmë një tubim me udhëheqjen e ngushtë të sindikatës. Kërkesat tona janë që këta punëtorë që punojnë në institucionet shtetërore dhe komunale, ata në fakt janë paguar nga institucionet shtetërore dhe komunale dhe këta punëtorë duhet të barazohen me punëtorët e sektorit publik”, tha fillimisht ai.
Përpos kësaj, Jusuf Azemi paralajmëroi edhe grevë nga punëtorët menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
“Hapat që do të merren për të realizuar këtë kërkesë janë futja në grevë. Kemi vendosur të mos futemi në grevë deri të përfundojë procesi zgjedhor dhe menjëherë javën e ardhshme do t’i bëjmë këto veprime. Do ketë protesta dhe greva nëse nuk financohen këta punëtorë siç financohen punëtorët e tjerë të sektorit publik, pasi edhe ne jemi punëtorë të sektorit publik”, përfundoi Azemi.
Kujtojmë që paga minimale në Kosovë tashmë është rritur në shifrën e 350 eurove, teksa kjo shifër shihet si e pamjaftueshme nga sindikalistët e vendit.
Shpesh herë punëtorët e sektorit privat kanë protestuar shesheve të kryeqytetit e para objekteve institucionale, por në vesh të shurdhër.
Madje një grevë të gjatë disa muajshe mbajtën edhe mirëmbajtëset e objektit të Kuvendit të Kosovës. Ato kërkuan rritje të pagave e në fund u lanë jashtë objektit bashkë me gjësendet tyre.
Sfidat e sektorit privat në shumë raste janë lënë anash nga krerët e shtetit, gjë e cila ua vështirëson edhe më tepër gjendjen e tyre financiare dhe mundësitë e zhvillimit në vendin tonë./Lajmi.net/