Tenderi për riparim të kalldasë së bllokut “A5” iu dha kompanisë që s’i plotësoi kushtet, publikohen bisedat e grupit Kurti, Mihali e Nagip Krasniqi

Tenderi për riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5, iu dha kompanisë “Litwin S.A” e cila siç raportohet nuk i plotësonte kushtet. Që nuk i plotësonte kushtet, kishte njoftuar para se t’i jepej tenderi edhe kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi përmes një bisede në një grup në platformën “Whatsapp” ku ishin krerët e shtetit, Albin…

Lajme

03/02/2025 09:53

Tenderi për riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5, iu dha kompanisë “Litwin S.A” e cila siç raportohet nuk i plotësonte kushtet.

Që nuk i plotësonte kushtet, kishte njoftuar para se t’i jepej tenderi edhe kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi përmes një bisede në një grup në platformën “Whatsapp” ku ishin krerët e shtetit, Albin Kurti, Besnik Bislimi, Artane Rizvanolli, Dejona Mihaili e Milot Krasniqi.

Në një bisedë të siguruar nga gazetari Lirim Mehmetaj, Krasniqi kishte treguar se dy kompani ndër to edhe fituesja nuk i plotësonte kushtet por që për Bislimin kjo nuk kishte rëndësi.

“Sot komisioni i ka shqyrtuar ofertat: “STEAG nuk e ka dorëzuar dosjen sipas specifikacionit dhe sipas komisionit duhet me diskualifku. “Litwin S.A” një kompani zvicerane po ashtu nuk e ka dorëzuar dosjen sipas specifikacionit dhe sipas komisionit duhet me diskualifiku. I bie që vetëm INTERING (Kosovë) i plotëson kriteret. Këta kanë kërkuar 120 ditë për kryerjen e punëve”, kishte shkruar Krasniqi.

E menjëherë për këtë kishte reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“A ma mirë me i respektu specifikacionet e ma na kushtu 20 milionë më shumë për shkak të vonesave, apo me marrë dikë me direct contrat që e kryen për 60 ditë”, kishte shkruar Bislimi në atë grup.

“U tha u bë”, kjo kompani mori tenderin për të mos ta kryer ende punën.

Kjo kompani ende nuk e ka përfunduar punën për të cilën është tenderuar, duke i shkaktuar kështu Kosovës dëme të shumta ekonomike pasi detyrohej të blinin rrymë.

Siç raporton Mehmetaj, me këtë kompani zyrtarë të qeverisë së Kosovës kishin njohje paraprake, prandaj edhe vjen ndërhyrja e Bislimit./Lajmi.net/