Vdekja e tre fëmijëve në Gjakovë, kryetarët e komunave shprehin ngushëllime

Tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të pllakës në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jaballanicë të Gjakovës. Ngjarja tragjike ndodhi të shtunën rreth orës 22:50, ka bërë të ditur policia. Lidhur me këtë ka reaguar kryetar i komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook,…

Lajme

02/02/2025 09:03

Tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të pllakës në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jaballanicë të Gjakovës.

Ngjarja tragjike ndodhi të shtunën rreth orës 22:50, ka bërë të ditur policia.

Lidhur me këtë ka reaguar kryetar i komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, i cili u ka shprehur ngushëllime familjarëve të fëmijëve të ndjerë.

“Urojmë që ata të gjejnë forcën dhe mbështetjen e nevojshme për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe”, ka shkruar Rama.

Tutje ai ka thënë se janë të gatshëm për të ofruar çdo ndihmë të mundshme për siguri dhe emergjenca që mund t’i nevojiten Komunës së Gjakovës.

“Një tragjedi e tillë na kujton përgjegjësinë tonë të përbashkët për të krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë! Ngushëllime të sinqerta të gjithë familjarëve, miqëve dhe të afërmve të tyre”, shkroi ai.

Po ashtu për këtë rast ka reaguar edhe kryetar i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Ramosaj, u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre fëmijëve që humbën jetën.

“I prekur thellë me ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë në Jabllanicë të Gjakovës, ku humbën jetën tre fëmijë si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar. Në këto momente të rënda për familjet e fëmijëve, ndajmë dhembjen me ta dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Deçanit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Zoti ju dhashtë forcë që ta kaloni këtë dhembje”, shkroi Ramosaj. /Lajmi.net/