VV-ja dënohet nga PZAP me 5 mijë euro, përdori gjuhë të urrejtjes në Skenderaj

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur sërish Lëvizjen Vetëvendosje në kuadër të aktiviteteve të saja për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit. PZAP deklaron se VV-ja u gjobit me 5 mijë euro, dhe ka afat që ta paguajë gjobën deri në 15 ditë pas 30 janarit. Ankesë kishte paraqitur Partia…

Lajme

31/01/2025 12:11

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur sërish Lëvizjen Vetëvendosje në kuadër të aktiviteteve të saja për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

PZAP deklaron se VV-ja u gjobit me 5 mijë euro, dhe ka afat që ta paguajë gjobën deri në 15 ditë pas 30 janarit.

Ankesë kishte paraqitur Partia Demokratike e Kosovës më 28 janar ndaj LVV-së për shkak se, siç thuhet, më 27 janar në Skenderaj, mbështetësit e VV-së në një video të publikuar në mediat elektronike dëgjohen duke përdorur gjuhë të urrejtjes dhe fyese ndaj subjekteve politike.

Sipas PZAP, ata kishin thënë : “Me i ardhë Radoiçiqi e pranojnë me zemër, kta nuk shkojnë me ‘shkije’, por shqiptarëve ia bajnë, shpiunaa… Shpiunat e Serbisë, idiota, Radoiçiqin e kishin pritë me lule. Ngo, ngo çka bajnë këtë gjest, turp i madh. Tani thojnë PDK-ja jena njerëz, kanë më hup shumë. Kështu e ka Drenica”, shkruhet në vendimin e PZAP-it të kenë thënë mbështetësit e VV-së.

Në vendim tutje theksohet se mbështetësit e VV-së përdorën gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë nxitëse.