Seanca për vrasjen e Liridona Ademajt: Dënohet me 500 euro avokati i Kokallës pas pretendimeve se ka pasur probleme me CD-të e pamjeve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca fillestare në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, ku të akuzuar janë ish-bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj. Në sallë janë lëshuar pamjet video nga restoranti në Graçanicë, ku Liridona me Naimin, kishin darkuar pak orë para ngjarjes makabre. Në fjalën e tij,…

Lajme

31/01/2025 11:59

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca fillestare në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, ku të akuzuar janë ish-bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj.

Në sallë janë lëshuar pamjet video nga restoranti në Graçanicë, ku Liridona me Naimin, kishin darkuar pak orë para ngjarjes makabre.

Në fjalën e tij, avokati i Kushtrim Kokallës tha se ka pasur probleme me CD-të me pamje që u janë dërguar avokatëve, por që tani janë në rregull.

Pas këtyre pretendimeve, ai u gjobit me 500 euro gjatë seancës, shkruan Lajmi.net.

Një seancë e tillë ishte paraparë të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.

Seanca e parë ndaj tyre më më 27 janar 2025 kishte dështuar të mbahet për shkak se mbrojtja e të akuzuarve nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.