Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasje në Bon Vivant, dënohet me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje

Andi Pajaziti është liruar nga akuza për vrasje në Bon Vivant, teksa atij iu shqiptua dënimi prej dy vitesh burgim për armëmbajtje pa leje. Në seancën e mbajtur sot, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Andi Pajazitin nga akuza për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” lidhur me…

Lajme

31/01/2025 10:49

Andi Pajaziti është liruar nga akuza për vrasje në Bon Vivant, teksa atij iu shqiptua dënimi prej dy vitesh burgim për armëmbajtje pa leje.

Në seancën e mbajtur sot, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Andi Pajazitin nga akuza për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” lidhur me rastin e vrasjes së gushtit të vitit 2023, në lokalin “Bon Vivant”, derisa e ka shpallur fajtor dhe dënuar me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje, shkruan Lajmi.net.

Aktgjykimi ndaj Pajazitit u shpall të premten nga gjykatësi Eroll Gashi. Pajaziti ngarkohej për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Dënimi me burgim, të njëjtit do t’i ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Në dënimin e shqiptuar me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Aktakuza ndaj Pajazitit ishte nveprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” ishte ngritur më 21 qershor 2024. Pajaziti ngarkohej për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.

Për këtë rast ishte i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me këtë rast, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.

Policia e Kosovës kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që kishte ndodhur në këtë lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.