Kurti ndërron mendje, tani e vlerëson marrëveshjen e Washingtonit: Promovonte stabilitet
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, në të cilën në foli për Marrëveshjen e Washingtonit, të arritur më 2020 nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, marrëveshje e cila ishte kritikuar ashpër nga ai dhe partia e tij. Sipas tij, kjo marrëveshje ekonomike…
Lajme
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, në të cilën në foli për Marrëveshjen e Washingtonit, të arritur më 2020 nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, marrëveshje e cila ishte kritikuar ashpër nga ai dhe partia e tij.
Sipas tij, kjo marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë ka promovuar stabilitet mes dy vendeve, duke pretenduar se qasja e njëjtë do të jetë me administratën e re amerikane, të udhëhequr nga Donald Trump.
“Kosova ka një marrëdhënie të fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE e NATO. Gjatë mandatit të Trump, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin prioritet ta promovuar stabilitetin, ndërsa administrate Biden fuqizoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj që ShBA-të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, tha Kurti për “El Mundo”.
Megjithatë, për marrëveshjen në fjalë, Kurti dhe VV-ja kishte qëndrime krejt tjera, madje duke e quajtur si të dëmshme.
Glauk Konjufca kishte deklaruar se kjo ishte marrëveshja më e dëmshme që prej vitit 2015, duke pretenduar se të gjitha pikat e marrëveshjes janë në favor të Serbisë.
“Kjo që e pamë ishte një marrëveshje, më e dëmshmja që kemi pa që nga viti 2015…Prej vitit 2015 nuk ka pasur marrëveshje më të dëmshme se kjo sepse në tavolinë të negociatave tash po dalin edhe resurset e Kosovës, e jo çfarëdo resursi por resursi më i rëndësishëm që e ka Kosova, e që është resursi ujor. 70 për qind e resursit ujor që ka Kosova është në Ujman”, ishte shprehur Konjufca.
“Më e rëndësishme është heqja e njohjes. Njohja nuk ishte askund në këtë takim. Kjo ka qenë heqja dorë më e madhe e Republikës së Kosovës. E dyta është Ujmani…Thika është metaforë…çka është thika, thika është diçka që ndanë. Ujmani për shtetin e Kosovës është ekzistencial, jetik. Unë se di qysh s’po shqetësohen këta’, ishin fjalët e Konjufcës.
Pak kohë pas arritjes së kësaj marrëveshje, Kurti në një fjalim para eurodeputetëve kishte kritikuar të njëjtën, duke thënë se “nuk ka parë asnjëherë në një faqe e gjysmë kaq shumë marrëveshje e zotime”.
“Sa i përket marrëveshjeve që janë arritur me 4 shtator vitin e kaluar në Washington mund të themi që janë zotime të dyfishta unilaterale me një listë zotimesh, nuk kam parë asnjë here në jetën time në një faqe e gjysmë, marrëveshje ose zotimesh me kaq shumë gjëra e artikuj brenda tyre, sikur të ndodhte se gjatë shkrimit të tyre, dikush të thotë se mos kemi harruar edhe këtë gjë ose atë, dhe çdo gjë futët në këto një faqe e gjysmë, nuk besoj që është menduar që të implementohet, ka disa elemente pozitive, kështu duhet ta shohim si një grumbullim pikash e jo si marrëveshje “Merre ose lëre” – kishte thënë ai.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në ShBA, Kurti pati dalë haptas në mbështetje të Joe Biden, për çka kishe nxitur reagime të shumta. /Lajmi.net/