​Të pagjeturit, Agjencia e forenzikës merr donacion për ekspertiza të ADN-së

Agjencia e Kosovës për Forensikë ka pranuar sot pajisje në formë donacioni për ekspertizë të ADN-së, si pjesë e programit “Zgjidhja e rasteve të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë”. Programi implementohet nga ICMP dhe mbështetet nga BE përmes Ambasadës së Suedisë – programi Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Ambasada e…

Lajme

22/01/2025 16:18

Agjencia e Kosovës për Forensikë ka pranuar sot pajisje në formë donacioni për ekspertizë të ADN-së, si pjesë e programit “Zgjidhja e rasteve të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë”.

Programi implementohet nga ICMP dhe mbështetet nga BE përmes Ambasadës së Suedisë – programi Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Ambasada e Italisë në Prishtinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se me pranimin e këtij donacioni do të lehtësohet procesi i zbulimit përmes ADN-së, në mënyrë që të bëhet identifikimi i personave të zhdukur përmes mbetjeve mortore.

Pajisjet e pranuara nga ICMP për ekspertiza të ADN-së janë teknologjia e fundit në këtë fushë dhe do të ndikojnë në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, në fushën e hetimit kriminal dhe ekspertizës forenzike sipas standardeve ndërkombëtare ISO17025-2017.

Ky projekt si objektiv kryesor e ka fuqizimin e kapaciteteve vendore në çështjen e testimit të ADN-së lidhur me identifikimin e personave të zhdukur. Vlera totale e kontingjentit të pajisjeve është rreth 38 mijë euro

Agjencia e Kosovës për Forenzikë që nga viti 2020 është duke marrë pjesë në projektin rajonal te ICMP-së, që ka për objektiv fuqizimin e kapaciteteve vendore në çështjen e testimit të ADN-së lidhur me identifikimin e personave të zhdukur.

Kujtojmë, edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës nuk dihet ende për fatin e mbi 1600 personave në Kosovë.