​Osmani: Kosova e ka mbështetjen e plotë nga Administrata Trump

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Kosova e ka mbështetjen e plotë nga administrata e re amerikane e udhëhequr nga Donald Trump. E para e vendit, duke folur për mungesën e saj në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan tha se ajo ka vepruar njëjtë si shumë liderë botërorë të cilët kanë pasur ftesë,…

Lajme

21/01/2025 13:04

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Kosova e ka mbështetjen e plotë nga administrata e re amerikane e udhëhequr nga Donald Trump. E para e vendit, duke folur për mungesën e saj në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan tha se ajo ka vepruar njëjtë si shumë liderë botërorë të cilët kanë pasur ftesë, por kanë autorizuar nivel më të ulët të përfaqësimit.

Megjithatë, ajo tha se e ka pasur mundësinë që më herët të flas me presidentin e ri amerikan, në Samitin e Parisit, ku sipas saj ka zhvilluar bisedë përmbajtjesore për Kosovën.

Krahas kësaj, Osmani tha se ka mbi një vit që ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të republikanëve. Bazuar në këto, sipas saj, Kosova do të ketë mbështetjen e fuqishme edhe përgjatë administratës Trump.

“Unë kam pasur mundësinë që të uroj personalisht presidentin Trump gjatë vizitës në Paris. Jo vetëm që ta uroj, por njëkohësisht të kem edhe një bisedë përmbajtjesore me të në lidhje me situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajonin tonë, dhe rreziqet që i kanosen këtij rajoni. Kam shprehur besimin e plotë në lidershipin e tij për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë e më gjerë. Jam jashtëzakonisht e kënaqur dhe shumë optimiste pas asaj bisede që kam pasur me presidentin. Njëkohësisht ka më shumë se një vit që unë kam vazhduar takime të shumta me përfaqësues të Partisë Republikane, shumë prej kontakteve që i kam edhe më herët dhe tani, që janë vendosur tani për herë të parë. Bazuar në të gjitha këto kontakte e them me besim të plotë se Kosova ka mbështetje të fuqishme në këtë administratë dhe në përgjithësi në Partinë Republikane”, tha ajo.