Kick-boksi, sporti që synon t’i sjellë medalje të tjera Kosovës

Pas sukseseve vitin e kaluar, kick-boksierët kosovarë synojnë që nga garat ndërkombëtare t’i sjellin Kosovës medalje të tjera edhe gjatë vitit 2025. Gjashtë sportistë që e përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare vijnë nga “Creative Fight Club”, ku puna intensive e kick-boksierëve ka nisur që në ditët e para të këtij viti. Trajneri Ilir Menxhiqi, i…

Sport

19/01/2025 12:09

Pas sukseseve vitin e kaluar, kick-boksierët kosovarë synojnë që nga garat ndërkombëtare t’i sjellin Kosovës medalje të tjera edhe gjatë vitit 2025.

Gjashtë sportistë që e përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare vijnë nga “Creative Fight Club”, ku puna intensive e kick-boksierëve ka nisur që në ditët e para të këtij viti.

Trajneri Ilir Menxhiqi, i cili është edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës në kick-boks, zbulon për KosovaPress garat në të cilat do të marrin pjesë, derisa thotë se këtë vit do të ketë dyfishim të aktiviteteve në sportin e kick-boksit.

“Viti i kaluar ka qenë i suksesshëm, kemi pasur disa aktivitete kur kemi arritur edhe suksese të ndryshme. Në bazë të atyre sukseseve jam zgjedhur edhe trajneri më i mirë për vitin 2024. Viti 2025 do të ketë dyfish aktivitete. Fillimisht kemi garat ndërkombëtare profesionale ku kemi meçin tani më 25 janar në Belgjikë me Dardan Menxhiqin, gjithashtu i kemi edhe dy meçe radhazi në shkurt dhe në mars. Në mars pritet të mbahet Kampionati i Kosovës ku edhe aty bëhet përzgjedhja e më të mirëve në Përfaqësuesen e Kosovës”, tha Menxhiqi.

Derisa thotë se te të rinjtë ka interesim të madh për sportin e kick-boksit, Menxhiqi pret më shumë ndihmë nga Ministria e Sportit për garat vendore gjatë këtij viti.

“Interesimi është shumë i madh. Diçka që na mungon ne janë aktivitete e pakta. Por, besoj që me ndihmën e Ministrisë së Sportit dhe Federatës së Kick-boksit këtë vit do të fillojmë të kemi aktivitete pak më të shpeshta në mënyrë që të kemi ne se çfarë të tregojmë dhe të shohin rinia se çfarë po ndodh”, tha Menxhiqi.

Njëri nga kick-boksierët që do ta përfaqësojë Kosovën në gara ndërkombëtare gjatë këtij viti është edhe Dardan Menxhiqi. Ai thotë se po bëhet gati për tri gara tejet të rëndësishme.

“Ka shumë gara, tri i kam tani më 25 janar, 22 shkurt dhe 29 mars, i kam të gjitha me ftesa nga Holanda dhe Belgjikës. Pra, e para është më 25 janar, thirret MJF Events, e dyta është Battel Arena dhe e treta si më e rëndësishmja për mua është Enfusion Kickboxing që është prej tri federatave më të mira në botë, më e fuqishmja”, tha Menxhiqi.

Njëri nga talentet që i është përkushtuar këtij sporti është edhe Blin Kerhanaj, i cili ëndërron të fitojë trofe, por edhe të bëhet se kick-boksieri i njohur shqiptar, Florian Marku.

“Sot jam duke bërë sparing me një shokun tim dhe kam ardhur këtu për ta treguar talentin tim… Shumë e kam pasur qejf këtë sport prej kur kam qenë i vogël, nuk mund ta shpjegoj se sa shumë e dua… E kam shumë ëndërr që unë do të bëhem kick-boksier shumë i fortë dhe të shkojë në vende të ndryshme të botës për të garuar dhe fituar… Mua më së shumti më pëlqen Florian Marku që është boksier dhe kick-boksier dhe është shumë i fortë”, tha Kerhanaj.

Përtej garave ndërkombëtare, në muajin mars pritet të zhvillohet edhe kampionati i Kosovës në kick-boks.