Ministria nga RMV i referohet Kosovës si “Kosovë e Metohi”, nga MPJD thonë se kanë reaguar ndaj këtij institucioni

Ministria për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut ka publikuar një komunikatë për media në lidhje me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit maqedonas Ivan Stoilkoviç në kampin e sportit “Serbia të thërret ty”, i mbajtur mes datave 1-11.08.2024 në Serbi. Në këtë njoftim, kjo Ministri i është referuar Kosovës me termin “Kosovë e Metohi” ashtu siç i…

Lajme

16/01/2025 15:50

Ministria për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut ka publikuar një komunikatë për media në lidhje me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit maqedonas Ivan Stoilkoviç në kampin e sportit “Serbia të thërret ty”, i mbajtur mes datave 1-11.08.2024 në Serbi.

Në këtë njoftim, kjo Ministri i është referuar Kosovës me termin “Kosovë e Metohi” ashtu siç i referohen ende serbët dhe Serbia zyrtare që vazhdon të mos e njoh Kosovës dhe të mos e pranojë realitetin e një shteti të pavarur dhe demokratik.

Kjo komunikatë vazhdon të jetë e publikuar në web-faqen e Ministrisë, ndonëse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Qeverisë së Republikës së Kosovës thotë se kanë shprehur verbalisht indinjatën për këtë referim të Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje”, u tha nga MPJD në lidhje me pyetjen se a kanë reaguar sa i përket këtij referimi ndaj Kosovës që i bëri ministria në fjalë.

Gjithashtu nga MPJD u tha se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të hapur ndër-shtetëror me Maqedoninë e Veriut, duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon.

Për postimin nga zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërkomunitare, Ivan Stoilkovic, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti ka thënë se është votuar për interpelancë ndaj tij.

“Ne nuk e mohojmë se Stolkovic-i është përfaqësues i serbëve dhe nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar e as të mendojë si ne. Takimi i parë i Kryeministrit Mickovski ka qenë me Kryeministrin Kurti. Takimi i parë i përbashkët i kësaj Qeverie ka qenë me Qeverinë e Republikës së Kosovës në Prishitinë, kështu që nuk mund të vemë paralele në mes të Stoilkoviçit dhe politikave të Qeverisë për Open Balkanin apo kundër Open Balkanit” – ka deklaruar Mexhiti.

Republika e Maqedonisë së Veriut e ka pranuar shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e saj me 09.10.2008 vetëm 8 muaj pasi u shpall pavarësia e Kosovës. /Lajmi.net/