“Bërtiste më vrau, më vrau”, dëshmitarja rrëfen se çfarë pa e dëgjoi ditën kur ndodhi vrasja në Kijevë

Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Berat Berisha akuzohet se vrau axhën e tij S.B., dëshmitarja Z.B., tha se ditën kritike të 28 prillit 2023 dëgjoi viktimën duke bërtitur “më vrajti, më vrajti”. Z.B., e cila viktimën e kishte kushëri të bashkëshortit, tha se ka qenë në…

Lajme

16/01/2025 14:05

Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Berat Berisha akuzohet se vrau axhën e tij S.B., dëshmitarja Z.B., tha se ditën kritike të 28 prillit 2023 dëgjoi viktimën duke bërtitur “më vrajti, më vrajti”.

Z.B., e cila viktimën e kishte kushëri të bashkëshortit, tha se ka qenë në korridor të shtëpisë së saj, kur kishte dëgjuar dy gjuajtje të armës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kur kemi dalë me vajzën s’kemi dëgjuar as s’kemi parë kurgjo, veç kemi mbetë tu këqyr edhe i ndjeri S., u dalë drejt me shtëpinë tonë, edhe kur na ka parë neve ja ka nis me bërtitë “oh më vrajti, më vrajti”, tha dëshmitarja Z.B.

Pas kësaj, ajo tha se kishte parë të akuzuarin duke e gjuajtur me armë tani të ndjerin S.

“…mandej e kena pa Beratin edhe ne kemi nis me bërtitë për momentin se u traumatizuam, edhe i ndjeri S,. ka ecë rrugës teposhtë, qashtu tu bërtitë u shku edhe Berati i ka ra i ka gjuajtur me armë, po s’e di sa herë edhe ai është rrëzu ndërmjet shtëpisë së vetë dhe të kunatit”, tha dëshmitarja.

Sipas saj, ditën kritike nuk i ka dëgjuar të kenë folur mes vete dhe shtoi se nuk e di nëse i akuzuari ka pasur ndonjë mosmarrëveshje me tani të ndjerin S.

Më pas, me vendim të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Drilon Haraçia, seanca u mbyll për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Ndryshe, më 27 maj 2024, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte dënuar të akuzuarin Berisha me 21 vjet burgim.

Ndërsa, përmes vendimit të përpiluar më 16 tetor 2024, Apeli ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ashtu që çështja është kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të përpiluar më 12 tetor 2023, Berat Berisha akuzohet se më 28 prill 2023, rreth orës 09:45 minuta në fshatin Kijevë të Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij S.B.

Në aktakuzë thuhet se, në ditën kritike me të vërejtur viktimën se me punëtorin B., po e rrokullisë arkën e betonit të marrë nga pjesa e lartë e oborrit në rrugicën e përbashkët të shtëpive, ka dalë nga shtëpia dhe me ton të lartë i thotë “ku po e qon gypin, nuk guxon ta marrësh”, viktima i thotë “e marr se është e imja, se po më vyen me e dërgua te bunari” si dhe për shkak të motiveve të ulëta, shkaku i dyshimeve që i pandehuri kishte se viktima ka pasur raport intim me gruan e tij, i pandehuri i mllefosur shkon në shtëpinë e tij merr pistoletën dhe me t’u afruar tek viktima në distancë prej 3-4 metra gjuan drejt në trup të S.B.

Më pas, thuhet se viktima mundohet të ikë më tej, por i pandehuri gjuan prapë në drejtim të tij gjatë lëvizjes në distancë 3-4 metra.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me atë rast viktima nga plagët e marra thotë “o më vrajti, o më vrajti”, mbështetet për rrethojat e rrugicës pastaj të pandehurit i bllokohet pistoleta dhe viktima ikë edhe për 3-4 metra më tej, mirëpo i pandehuri e ndjekë prapë dhe nga prapa duke gjuajtur sërish në fund e gjuan edhe tri herë në kokë dhe viktima rrëzohet tek oborri i shtëpisë së tij duke mos lëvizur më nga vendi.

Bazuar në aktakuzë, thuhet se vdekja e tani të ndjerit është konstatuar nga raporti i autopsisë nga ekspertit mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se vdekja e viktimës S.B., ka ardhur si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kokës dhe kraharorit nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga arma e zjarrit.

Me këto veprime, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, par.1 nënpar. 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal.

Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, i pandehuri Berisha ngarkohet se ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armët- një pistoletë gjysmë-automatike e tipi “Crvena Zastaca”, gjashtë fishekë të kalibrit 9×19 mm si dhe një pushkë e gjuetisë, një fishek i kalibrit 7.65×17 mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore.

Për këtë, Berisha ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1, të Kodit Penal.