Elezi i KQZ-së: Gjermania dhe Zvicra prijnë me numrin më të lartë të votuesve-Ndryshimi i ligjit ka ofruar tri mundësi për mërgimtarët

Kanë kaluar disa ditë prej kur mërgimtarët kanë filluar të votojnë përmes postës për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Madje votimi i tyre nisi para se disa prej partive politike në vend t’i bëjnë publike Programet me të cilat synojnë t’i fitojnë këto zgjedhje. Po ashtu votuesit e regjistruar jashtë vendit do të kenë mundësi që…

Lajme

16/01/2025 12:01

Kanë kaluar disa ditë prej kur mërgimtarët kanë filluar të votojnë përmes postës për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Madje votimi i tyre nisi para se disa prej partive politike në vend t’i bëjnë publike Programet me të cilat synojnë t’i fitojnë këto zgjedhje.

Po ashtu votuesit e regjistruar jashtë vendit do të kenë mundësi që të votojnë para shtetasve që jetojnë në Kosovë, për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Periudha e votimit për diasporën e regjistruar do fillojë më 9 janar dhe do përfundojë më 8 shkurt, saktësisht do të zgjasë 31 ditë.

Tash kur nuk ka mbetur shumë që zgjedhjet parlamentare të mbahen edhe në Kosovë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 qytetarë.

Aktualisht me numrin më të lartë të votuesve të regjistruar nga diaspora janë nga Gjermania me 44 mijë e 774 qytetarë dhe Zvicra me 27 mijë e 248 votues.

Lidhur me këtë çështje për lajmi.net, ka folur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi i cili ka dhënë detaje në lidhje me votimin.

Elezi ka thënë se nga numri total prej 104 mijë e 924 qytetarë, 20 mijë e 339 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës është 104,924, prej të cilëve 20,399 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ndërkaq 17,104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 67,421 për të dërguar pakon me fletëvotim në një nga kutitë postare të KQZ-së të hapura jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.

Ndryshe periudha e regjistrimit ishte 120 ditë, nga 29 gusht deri 26 dhjetor 2024.

“Dy shtetet me numrin më të madh të të regjistruarve janë Gjermania me 44,774 dhe Zvicra me 27,248 votues të regjistruar. Pas tyre vijnë shtetet tjera, si: Franca (4,629), Suedia (3,958), Austria (3,932), Italia (3,810), ShBA (2,509), Belgjika (2,392), Mbretëria e Bashkuar (2,236) dhe Finlanda (1,806)”, thotë Elezi.

Ndryshimi i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme tashmë u ka dhënë tri mundësi shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për të përzgjedhur për votim nga jashtë Kosovës.

Pra, në momentin e regjistrimit për votim në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votuesit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Po ashtu këtë herë në zgjedhjet e 9 shkurtit do të ketë vetëm 24 orë heshtje zgjedhore si dhe të gjithë do të mund të zgjedhin 10 kandidatë për deputet që t’i votojnë gjatë procesit të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e 9 shkurtit apo ato nacionale do të sjellin ndryshime në krye të institucioneve si Qeveria, Kuvendi e më pas ministritë e zyrat e ndryshme administrative.

Presidentja e vendit Vjosa Osmani do të vazhdojë të drejtojë presidencën deri në fund të mandatit. Mbetet të shihet se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, derisa kjo është hera e parë që zgjedhjet nacionale mbahen si të rregullta ( pa rënë Qeveria). /Lajmi.net/