SPERTK kërkon mbështetje nga Kuvendi i Kosovës: Nëse buxheti i RTK-së nuk trajtohet me urgjencë, do ta adresojmë në Gjykatë Kushtetuese
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së përmes një komunikate për media ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë ndaj të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, të cilat deri më tani nuk kanë arritur ta zgjidhin statusin e RTK-së. Sipas SPERTK-së, miratimi i një ligji të ri që do të rregullonte çështjet e pronës dhe financimit…
Lajme
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së përmes një komunikate për media ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë ndaj të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, të cilat deri më tani nuk kanë arritur ta zgjidhin statusin e RTK-së.
Sipas SPERTK-së, miratimi i një ligji të ri që do të rregullonte çështjet e pronës dhe financimit të pavarur të transmetuesit publik është mëse i domosdoshëm për funksionimin e tij.
“Jemi të indinjuar që edhe në kohë fushatash zgjedhore dëgjojmë premtime për rritje pagash, ndërkohë që RTK-ja operon me një buxhet 2.2 milionë euro më të ulët. Për më tepër, rritja e pagave për punonjësit e RTK-së nuk ka ndodhur që nga viti 2006, duke dëshmuar një neglizhencë të madhe ndaj të drejtave të tyre. Punëtorët e RTK-së, përmes punës dhe tatimeve të tyre, kontribuojnë në zhvillimin e shtetit tonë. Mungesa e mbështetjes nga themeluesi, është një dëm i madh për të ardhmen e transmetuesit publik. Sindikata informon publikisht Kuvendin e Kosovës dhe partitë politike se, nëse çështja e buxhetit të RTK-së nuk trajtohet me urgjencë, do të jemi të detyruar ta adresojmë këtë problem në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në këtë komunikatë.
SPERTK ka apeluar te të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës që të kthejnë vëmendjen ndaj transmetuesit publik, i cili ndodhet në një gjendje të rënduar financiare dhe infrastrukturore.
“Rëndësia e RTK-së për demokracinë dhe shtetin tonë është e pakontestueshme dhe kërkon mbështetje të menjëhershme”, thuhet mes tjerash.