Ambasadori i Kosovës në Bruksel, BE-së: Strukturat ishin ilegale

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i është përgjigjur Bashkimit Evropian me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone. Ambasadori Bajrami ka sqaruar se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.…

Lajme

16/01/2025 09:26

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i është përgjigjur Bashkimit Evropian me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone.

Ambasadori Bajrami ka sqaruar se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.

“Nuk ka asnjë marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave”, ka shkruar Bajrami në platformën X.

Pas mbylljes së institucioneve paraleleve të Serbisë të cilat po vepronin në Kosovë ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Bashkimi Evropian, duke vlerësuar se këto çështje duhet të menaxhohen përmes dialogut.

Madje, BE ka tërhequr vërejtjen se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës nuk janë të favorshme për nisjen e heqjes graduale të masave të cilat Brukseli i kishte paralajmëruar me herët, e të cilat do të ndodhnin paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri.

Brukseli përsëritë se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.