Kompanitë e autobusëve Podujevë-Prishtinë i futen grevës, shkak linjat e reja të qarkullimit nga trafiku urban i kryeqytetit

Kompanitë e linjave të autobusëve që qarkullojnë nga Podujeva në Prishtinë dhe anasjelltas janë duke grevuar. Këta të fundit kanë refuzuar të vihen në funksion të qarkullimit si linja transporti, për shkak të një ndryshimi që është bërë nga Komuna e Prishtinës. Së fundi nga Komuna e Prishtinës u morë vendim që linjat e autobusëve…

Lajme

16/01/2025 08:19

Kompanitë e linjave të autobusëve që qarkullojnë nga Podujeva në Prishtinë dhe anasjelltas janë duke grevuar.

Këta të fundit kanë refuzuar të vihen në funksion të qarkullimit si linja transporti, për shkak të një ndryshimi që është bërë nga Komuna e Prishtinës.

Së fundi nga Komuna e Prishtinës u morë vendim që linjat e autobusëve urban të shtohen, e kësisoj llapjanëve t’u mundësohet qarkullimi nga Prishtina në disa prej fshatrave në Podujevë përmes autobusëve urban.

E ky vendim ka ngjallur pakënaqësi të shumta tek linjat e autobusëve, të cilët kanë vendosur që të mos marrin më asnjë udhëtarë e ët futen në grevë.

Të njëjtët autobusë janë parë sot duke qarkulluar në një orar të përbashkët, por pa udhëtarë.

Ndryshimet e fundit që nxori Komuna e Prishtinës në lidhje me qarkullimin e këtyre linjave të autobusëve i bëri ata të jenë të pakënaqur e të vendosin të futen në grevë.

Në një reagim të bërë nga Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” u theksua se vendimi  për pezullimin e përkohshëm të punës vjen pas shqyrtimit të gjendjes aktuale dhe miratimit nga organet drejtuese të shoqatës.

Gjithashtu u tha se situata është pasojë e veprimeve të Komunës së Prishtinës, e cila ka lëshuar linja të reja transporti duke anashkaluar procedurat ligjore dhe të drejtat që i takojnë operatorëve ekzistues. Këto veprime, sipas shoqatës, kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, duke rrezikuar ekzistencën e saj dhe vendet e punës për shumë persona që varen nga ky sektor.

“Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë ndërhyrjen e institucioneve kompetente për të adresuar këtë shkelje ligjore dhe për të marrë masa të menjëhershme që të mundësojnë vazhdimin e shërbimeve të transportit në kushte të drejta dhe të ligjshme për të gjithë operatorët,” thuhet në deklaratë.

Shoqata kërkon gjithashtu që Komuna e Prishtinës të rishqyrtojë vendimet e saj dhe të sigurojë një treg të ndershëm e të barabartë për të gjithë operatorët, duke respektuar konkurrencën dhe kuadrin ligjor./Lajmi.net/